Babai i 16-vjeçares që humbi jetën tragjikisht në një spital privat ka rrëfyer për mediat ngjarjen nërsa ka bërë thirrje për drejtësi.
“Shteti të kontrollojë këto klinika dhe spitale që janë hapur dhe të merren masa për atë njeri që më mori jetën e vajzës” – tha babai i viktimës.
Ai e cilësoi të bijën si një artiste ndërsa përmendi faktin se Blerta ka qenë edhe konkurrente te “Gjeniu i Vogël”.
Mes lotëve ai rrëfeu se mjekët i dhanë garanci para operacionit ndërsa një dëmtim në ligament gjatë orës së fiskulturës u bë shkak për operacionin e detyruar.
Sipas tij, mjekëve në spitalin privat u është bërë e ditur se Blerta ishte alergjike dhe familjarët u kanë vënë në dispozicion kartelën. Babai i 16-vjeçares tha se shkak për vdekjen e saj është bërë injektimi i një sasie të madhe narkoze.
“Mjeku i huaj që e operoi e futi në sallë para kohe sepse do ikte jashtë vendit nga kishte ardhur. Në spital pashë gjendje alarmante të mjekëve që vraponin. Pyeta një infermiere nëse kishte gjë vajza ime por ajo më tha të rrija pa merak” – tha babai i 16-vjeçares. /javanews/b.d