Policia spanjolle njoftoi sot konfiskimin, në fillim të majit, të 2,4 tonëve kokainë, në bordin e një anijeje peshkimi venezueliane dhe arrestimin e shtatë shtetasve venezuelianë, gjatë një operacioni të kryer me Portugalinë, SHBA dhe Britaninë e Madhe.
Po të njëjtën ditë, qeveria spanjolle bëri të ditur arrestimin në Spanjë të katër narkotrafikantëve të dyshuar, në lidhje me zbulimin të enjten në ujërat ekuadoriane të më shumë se pesë tonë kokainë në bordin e një anije mallrash.
Në fotot e publikuara nga policia spanjolle, shfaqet një anije peshkimi e vjetër me skelet të ndryshkur, bëhet fjalë për anijen që transportonte drejt Spanjës 2,4 tonë kokainë e ndarë në 80 pako, sipas një deklarate të policisë kombëtare.
Më 4 maj, kjo anije venezueliane u lokalizua në ujërat e Atlantikut dhe u pikas nga anëtarë të Grupit të operacioneve speciale (Geos) të policisë, sipas këtij burimi.
Të shtatë anëtarët e ekuipazhit me kombësi venezueliane u arrestuan dhe u konfiskua gjithashtu një pistoletë./ b.d