Qeveria në largim, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme do të ndajë mjetet financiare për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Komisioni Qendror Zgjedhor ka paraparë që për organizimin e zgjedhjeve t’i shpenzojë rreth 5 milionë euro.
Zëvendëskryeministri në largim, Hajredin Kuqi, prezantoi para ministrave kërkesën e KQZ së.
“Zyra e kryeministrit ka marrë kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e 4 milionë e 900 mijë eurove për zgjedhjet e parakohshme”, tha Kuçi.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë në largim do të ndahen mjete financiare edhe për Shoqatat Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të nisë më 29 maj dhe të mbyllet më 9 qershor.
Për këto 10 ditë, subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje mund të zhvillojnë aktivitetin, fushatën dhe propagandën politike, përfshirë edhe tubimet dhe debatet me qytetarët dhe mediat.
Subjektet politike të interesuara për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit do të mund të aplikojnë për pjesëmarrje nga data 11 deri më 18 maj
Ndër vendimet e para të KQZ-së përfshihen edhe kushtet e vëzhgimit dhe monitorimit të zgjedhjeve dhe çështjet tjera organizative. /ma.me