Për herë të parë në histori, Portugalia e ka fituar Festivalin e këngës ‘Eurovision Song Contest’ me anë të Salvador Sabral.
Kënga “Amar Pelos Dois” rrëmbeu 758 pikë për të dalë fituese në festivalin e muzikës që u zhvillua në Kiev të Ukrainës.
Pas kthimit në vendlindje, në aeroportin e Lisbonës fituesin e kanë pritur bashkëkombësit e tij entuziastë. Madje, 27-vjeçarin e kanë quajtur edhe hero kombëtar, shkruan shqiptarja.com
“Nuk e di nëse jam hero kombëtar. Mendoj se hero i vërtetë është Cristiano Ronaldo”, është shprehur ai.
Kur është pyetur se pse vendosi të këndonte në gjuhën amtare, ai ka thënë se kishte dashur ta këndonte një këngë të bukur ashtu siç ishte, në portugalisht.
Më tej, Sabral ka thënë se dëshiron që njerëzit ta mbajnë mend si muzikant dhe jo vetëm si fitues i Eurovisionit./a.ç