Nga Mero Baze
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të takohet nesër me Zëvendës-Ndihmëssekretarin e Shtetit Hoyt Brian Yee, në përpjekjen e fundit që SHBA, po bëjnë për të mbyllur krizën artificiale, që Partia Demokratike provoi të shkaktonte në vend. Takimi vjen pas një sprove të dështuar të Bashës, për të treguar se ka një fuqi destabilizuese. Pas tërheqjes taktike nga Kavaja, qeveria rriti perceptimin në publik, se opozita mund të përdorë dhunë dhe ky imazh shoqëroi përgatitjet për protestën e së shtunës në Tiranë, e cila u katandis vetëm me të ardhurit nga rrethet dhe militantë të PD.
Në një farë mënyre Basha dështoi dhe në rrugën e forcës dhe të paqes, për të provuar se është faktor që mund të destabilizojë vendin.
Por ai ia doli të ketë sukses në objektivat e veta personale. Ai ka mundur të shmangë tre probleme që kishte në këtë proces: Zyrtarët e vjetër të PD, aleatët dhe kundërshtarët brenda partisë.
Problemin më serioz e ka me drejtuesit e vjetër të PD, që janë luajalë me Berishën, si Topalli, Imami, Ruli, Bode etj. Mospranimi i planit “McAllister”, dhe mosvotimi i Vetting-ut në Kuvend, i lë këta ish ministra të PD, pa siguri ligjore për të ardhmen e tyre, pasi drejtësia kalon thuajse në një balancë të re brenda së majtës, në vend që të ishte në një balancë mes të majtës dhe të djathtës, siç e parasheh ligji i Vetting-ut.
Tani që shumica po shkon në zgjedhje pa PD, shumë zyrtarë të frikësuar të PD, se mund të akuzohen për korrupsion, ndjehen të pasigurt me bojkotin dhe një drejtësi që do të ngrihet e gjitha kur në pushtet është e majta. Për ata do të ishte më racionale pjesëmarrja në seancë dhe kontributi në ndërtimin e këtyre institucioneve. Në këtë aspekt, Basha nuk ka mbështetje reale brenda PD, në mënyrën se si po ia ofron “kokat në sini” të këtyre ish drejtuesve të PD, duke bojkotuar Kuvendin dhe zgjedhjet.
Problemi i dytë mendoj se janë aleatët e PD. Për të ardhur deri këtu, pas tre muajsh protestë, Lulzim Basha ka pasur nevojë për këta aleatë që ka, më shumë se sa do ketë ndonjë herë nevojë për të ardhur në pushtet përmes tyre. Dhe ka dëshmuar një talent duke i gënjyer ata. Ka bërë atë që di të bëjë më mirë.
Tani kur gjithëçka mbaroi dhe partitë kanë filluar fushatën, aleatët e Lulzim Bashës kanë të sigurtë vetëm një premtim, atë se kur PD të hyjë në zgjedhje, do ti fusë ata në lista. Por kjo mund t’i shkatërrojë ata përfundimisht. Republikanët, PBDNJ e Dules dhe Agrarët, do të humbasin përfundimisht dhe infrastrukturën e komisionerëve dhe numuruesve në zgjedhje, ndërsa duke qenë parti pa identitet, mbështetur mbi punësime apo ndihma financiare për hir të pushtetit, ato janë në prag të shkrirjes.
Futja e tyre në zgjedhje, qoftë dhe pa PD, do të ishte i vetmi shans që ata të mbijetonin. Tani për shkak të kauzës së dështuar të Bashës, PD duhet të përgatitet të fusë në listë disa kryetar partish, që nuk do të kenë më elektorat kur të vijnë zgjedhjet. Nëse Basha e mban fjalën.
Problemi i tretë i tij është 24 Korriku, kur atij i mbaron mandati për kryetar. Ajo që do të ndodhë është e sigurtë. Basha do të rizgjidhet kryetar pa garë, në një proces edhe më të shëmtuar se ai me Olldashin, ku u votua nën terrorin e Berishës mbi strukturat, me fletë votimi me numër rendor dhe në një fushatë ku vota për Olldashin quhej tradhëti. Kjo histori do përsëritet. Berisha do shpallë Bashën kryetar dhe njerëzit do ta pranojnë. Majlinda Bregu, e cila duket se është rivalja reale e tij për kryetar, natyrisht nuk do pranohet, as të regjistrohet, ndoshta si e tillë. Dhe paradoksalisht, PD që nuk pranon të hyjë në zgjedhje, se s’ka garanci nga procesi, do të ricertifikojë një kryetar pa votë të lirë dhe do të vazhdojë më tej më të.
Kështu Lulzim Basha do t’ia dalë ti gënjejë të gjithë. Do të gënjejë ata që duan PD-në në Kuvend, pasi duan garanci nga sistemi. Basha po ia del që të mos e fusë PD-në në zgjedhje dhe do t’i lërë rrugëve ata.
Do të gënjejë aleatët, të cilëve u ka treguar një salçiçe që do ta kapin pas zgjedhjeve.
Dhe natyrisht do gënjejë dhe rivalët e vet duke mos bërë zgjedhje në PD. Për të gjitha këto arsye, nesër do gënjejë dhe zotin Hoyt Brian Yee në takim , duke i folur se nuk ka garanci për zgjedhjet. Bashës i duhet “bojkoti” i zgjedhjeve me çdo çmim./a.ç