Qeveria shqiptare nuk ka prenotuar ende sasinë e gazit që do të përfitojë nga gazsjellësi TAP, duke e argumentuar këtë me mungesën aktuale të infrastrukturës në të cilën do të kalojnë tubacionet. Por po krijon të gjitha kushtet për funksionimin e tregut të gazit, duke i paraprirë deri edhe administrimit të infrastrukturës në raste krizash.
“Janë situatat ekstreme të motit, si ky dimër me temperatura ekstreme të ftohta, situatat politike dhe ekonomike, por mund të jenë edhe fatkeqësi natyrore, siç mund të jetë për shembull një tërmet, u shpreh Stavri Dhima, ministria e Energjisë.
Plani përcakton se cilët janë konsumatorët që kanë prioritet furnizimi në këto kushte.
“I garantojmë furnizim familjarëve, sektorit rezidencial kopshteve spitaleve shkollave çerdheve dhe konsumatorëve të tjerë të rëndësishëm, siç mund të jetë prodhimi i energjisë elektrike, sipas mundësive edhe konsumatorëve të tjerë”, thotë Dhima.
Por mbi të gjitha duket se i jep zgjidhje problemit që i druhet Ministria e Energjisë, humbjeve kur sasia e gazit të prenotuar do të jetë më e lartë se ajo që do të përdoret në realitet.
“Kur në verë, për shembull, mund të konsumojnë më pak dhe kur vjen një sasi e caktuar e gazit nga tubacioni, kjo sasi depozitohet në këtë vend dhe në një periudhë të veçantë, sidomos në temperatura ekstreme këto vihen në përdorim këto depozita. Ose mund të vëmë në funksionim depozitat e vendeve të tjera”, shprehet Stavri Dhima.
Në masterplanin e gazit parashikohet ndërtimi i dy depozitave nëntokësore të gazit, një në Dumre dhe një tjetër në Divjakë. Gazi i parë do të transportohet përmes tubacionit të TAP nga Azerbaxhani drejt Europës në 2020-n./TCH
a.ç