Partitë politike në Kosovë nuk janë treguar transparente për burimet e financimit të fushatave të tyre zgjedhore, si dhe për shpenzimet e parave që ato parti i marrin nga buxheti i shtetit, thonë përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë. Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro. Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.
Por, përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike financohen edhe nga burime tjera, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, nuk dihet se kush janë, pasi që nuk bëhen transparente.
Artan Canhasi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se financimi dhe raportimi financiar i partive politike në Kosovë, mbetet një problematikë e madhe.
Partitë politike në Kosovë, thekson Canhasaj, nuk janë treguar transparente në qarkullimet financiare dhe burimet e financimit.
“Ne, në KDI, vlerësojmë se duhet të zhvillohet një mbikëqyrje më e fuqishme e partive dhe e financave të partive. Fondet që ndahen nga buxheti i shtetit, duhet të raportohen se si shpenzohen, te taksapaguesit. KQZ-ja nuk bën ndonjë monitorim të fuqishëm të shpenzimit të parave nga partitë politike. Niveli i demokracisë, niveli i transparencës nuk është duke u rritur, por duke u përkeqësuar”, thekson Canhasi.
Në anën tjetër, Arton Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se mungesa e një auditimi ka rritur në masë të madhe jotransparencën e shpenzimit të parave të partive politike.
“Partitë politike, në përgjithësi, janë treguar mjaft jotransparente sa i përket çështjes së financimit të tyre. Tashmë jemi në vitin e katër që financat e partive politike nuk auditohen dhe thjesht ne nuk e dimë se sa para shpenzojnë partitë politike dhe nuk e dimë se qysh i shpenzojnë ato para, nuk e dimë sesa para marrin nga bizneset dhe qytetarët partitë politike”, pohon Demhasaj.
Ai e quan skandal faktin, siç thotë ai, “kur sheh se miliona euro shpërndahen përmes procesit të tenderimit te bizneset që kanë financuar partitë politike, sidomos partitë politike që kanë qenë në pushtet”.
Disa nga partitë politike fushatën e tyre zgjedhore, thotë Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës, e mbështesin te biznese të dyshimta. Sipas tij, partitë politike nuk dihet se me para të kujt bëjnë fushatën zgjedhore dhe prej nga vijnë ato para.
“Financat në masë të madhe janë ato që e definojnë se çfarë fushate organizojnë partitë politike. Sa më shumë financa që kanë, i bëjnë edhe fushatat më të mëdha dhe mbledhin më shumë vota, por nëse ato para hyjnë nga burime jo të pastra edhe votat mund të konsiderohet se i fitojnë në atë mënyrë. Po ashtu, partitë u mbesin borxh atyre kompanive apo personave që i kanë financuar fushatat e tyre, me një fjalë kemi devijim të votës së sovranit nëpërmjet parave të pista”, shpjegon Canhasaj.
Ndryshe, financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër Raportet e Progresit që publikon Komisioni Evropian.
Në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë, përgatiti ”REL”. (b.an)