Nga Ben Andoni
Në kohë të errëta si këto që po kalon Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia shpresa është e rëndësishme. Këtë e kanë kuptuar mirë politikanët që e dhurojnë shpresën gratis. Veçse kjo kadencë mesianike utopike, që po e hasim shpesh në fjalimet e liderave tanë, mund të ketë edhe një përfundim apokaliptik ose nihilist prej turmave të verbra që i ndjekin. Maqedonia e bëri provën dhe mesazhet e huaja e frenuan vazhdimin e frikshëm, duket se Shqipëria është gati për këtë mesazh dhe në radhë po pret Kosova. Le ta lexojmë pak Bashën. Ai u ngjit në podium të shtunën e 13 Majit pasi një grup patetikësh të zakonshëm militantë folën para tij dhe mbajti një ligjëratë të plotë mesianike:
….Shikojeni njëri-tjetrin në sy teksa Zoti na sheh… Dita e parë e Shqipërisë po afron. Unë e dija se kjo ditë po vinte, ishte thjeshtë dhe vetëm çështje kohe. Çështje kohe sa shqiptarët të rizbulonin kreshnikun e kreshniken brenda vetes së tyre, fisnikërinë e moçme, qytetarinë europiane….Dhe ja tek ka ardhur kjo ditë e bekuar… Nuk ju kërkoj asnjë sakrificë tjetër. Ju lus që gëzimin dhe paqen ta merrni me vete në fund të këtij referendumi popullor e të shpërndajmë lajmin e mirë në çdo fshat e çdo qytet, por pyetja ime është kjo. T’i lutemi Zotit t’i hapë veshët kundërshtarëve të pakët të Republikës së Re, përballë këtij bashkimi kombëtar. T’i thërrasin mendjes e t’i hapin rrugë përmes dialogut”.
Në fakt, fjalimi i gjatë dhe i lodhshëm i kryetarit të opozitës Lulzim Basha i ngazëlleu të pranishmit bukur të shumtë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që për hir të së vërtetës nuk e kalonin atë të paraardhësit të tij, Berisha, kur demonstroi vite të shkuara kundër Fatos Nanos.
Mënyra religjioze sesi ligjëroi z.Basha ishte më shumë për të justifikuar rrugën e vet konfuze sesa të ardhmen e munguar. Ndërkohë atë e shpalli me patetizëm pas folësve militantë të PD-së, që si dy pika uji me sivëllezërit e PS-së, i thurën lavde kryetarit, anatemuan kryeministrin Rama dhe shpallën besimin në të ardhmen!!!Dukej sikur nga shkretëtira, nën udhëheqjen e Moisiut të ri shqiptar, po ktheheshin në vendin e tyre. Por ata janë në vendin e tyre dhe askush nuk e ka ndryshuar rrjedhën deri më sot, sepse shqiptari vetë po duket i pandryshueshëm…
Në fakt, ajo që trondit njerëzit e kthjellët nga ajo që flet Basha dhe Rama jo më pak, është forma e ligjërimit të tipit mesianik, që nuk po mbaron. Ky ligjërim është absurd në një vend që i vuri dërrmën fesë dhe që sot e kësaj dite ka jo pak hesape të pambyllura me komunitetet fetare.
Në kohën e vet, Sabbatai Zevi argumentonte se ekzistojnë dy lloje të ideve mesianike: njëra është ajo që rindërton dhe tjetra apokaliptike. Kjo e fundit për mesian e re hebre (që ka jetuar në truaj arbërorë) është më e rrezikshmja, sepse njeriu duke imagjinuar botën e re që do të shfaqet kur të vijë Mesia, do të mrekullohet me një ndjeshmëri dhe do dëshirojë vazhdimisht mrekulli dhe gjëra që janë të paimagjinueshme. Por mes politikanëve ballkanas lëshohen premtime që jo vetëm shkatërrojnë por që edhe mund të ndryshojnë rrënjësisht rrjedhën e historisë në kahe jo të mira. E tepërt t’i përmendim, por prej tyre Ballkani është mbjellë me varre.
Kështu, apeli i politikës shqiptare në këto momente që po vjen nga PD-ja po na drejton tek një tjetër përfundim i dhunshëm në histori. Vetë të parët e Mesisë së vërtetë, ata që e krijuan Talmudin e shtypën idenë e kinseve të rejave (lexo republikën) si shkak i apelit të egër ndaj imagjinatës dhe tendencave kaotike të turmës së çoroditur.
Po Shqipëria, që mezi po i afrohet zotit, pse duhet ta përdorë kaq shumë? Këtë e dinë mirë Basha dhe jo më pak Rama, që për të treguar se ata janë të zgjedhurit e vetëm të Shqipërisë, prej zotit, para turmave amorfe, e sjellin perëndinë vazhdimisht në ligjërimin e tyre.
Ajo që mbeti nga aktiviteti i madh i opozitës dje, që si dy pika uji ngjante me mitingjet e tjera të forcave para saj, ishte se u krijua imazhi se ëndrrat tona mund të realizohen.
Anipse shpesh pa na thënë se ëndrrat e mëdha ndonjëherë mund të kenë pasoja të mëdha. E provuam me komunizmin, po e provojmë paq në ditët tona me Ramën, por edhe me kokëfortësinë e Bashës që e mbylli sërish me fjalitë mesianike : Rrëfeni të vërtetën tuaj, vendimin tuaj për Republikën e Re dhe bëhuni gati për marshimin final. Jeni gati apo jo? Zoti ju bekoftë! Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Në fakt, Zoti e ruajt Shqipërinë, ashtu si ka bërë deri tani, sepse shpresa e vërtetë ka shtegtuar me kohë nga këto vise arbërore, ku dikur përpiqej ta ligjëronte Talmudin, Zabatai Zevi i vërtetë. (JavaNews)