Avokati i Popullit Igli Totozani, së bashku me një grup ekspertësh të Seksionit të Sigurisë dhe atyre të Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës monitoruan protestën e opozitës.
Në fund të protestës, Totozani vlerësoi protestën paqësore dhe masat e marra nga uniformat blu.
“Vlerësoj sjelljen paqësore të qytetarëve. Deri tani kjo protestë ka qenë tërësisht paqësore dhe pa probleme. Detyra jonë është që të monitorojmë sjelljen e institucioneve shtetërore dhe Policisë së Shtetit në protesta. Dhe për këtë rast më lejoni të shpreh vlerësimin edhe për institucionet shtetërore si dhe Policinë e Shtetit që menaxhuan situatën në mënyrë tërësisht profesionale”, deklaroi ai.
Totozani tha se Avokati i Popullit do të vijojë të kryejë të gjitha detyrat që i ngarkon ligji dhe Kushtetuta në mënyrë të paanshme dhe krejtësisht të pavarur.
Institucioni i Avokatit të Popullit do të hartojë një raport mbi ecurinë, sjelljen e protestuesve dhe reagimin e policisë. /b.d