Për të marrë pjesë në protestën e opozitës që kulmon sot në orën 12:00 janë nisur mijëra protestues dhe mbështetës të Partisë Demokratike dhe jo vetëm nga rrethet. Deri më tani mësohet se rreth 2400 persona janë nisur nga Mati, ndërsa 6000 persona nga qarku i Dibrës.
Po ashtu kreu i PD-së në Elbasan thotë se 2500 mbështetës të PD-së nga ky qark do t’i bashkohen protestës së opozitës. Protestuesit e Elbasanit pritet të nisen në orën 09:00, raporton News 24.
Ndërsa opozita ka lajmëruar që kjo do të jetë një protestë më masive se ajo e 18 shkurtit, policia ka marrë masa për mbarëvajtjen e saj si dhe për ruajtjen e institucioneve kryesore, duke angazhuar plot 1500 efektivë, përfshi këtu ata të FNSH-së e RENEA-s. Për të ndaluar aktet e vandalizmit, agjentë civilë do infiltrohen mes turmës dhe do fotografojnë protestuesit. Po ashtu policia ka publikuar edhe hartën e rrugëve ku automjetet nuk do të lejohen as të parkojnë e as të lëvizin.
Sakaq, shumica e selive diplomatike në vend, duke nisur nga SHBA-ja iu bëjnë thirrje shtetasve të tyre të evitojnë kalimin nga zona ku do të zhvillohet protesta, veçanërisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke sqaruar se ndonëse bëhet fjalë për një protestë paqësore, situatë mund të tejkalojë edhe në dhunë.