Zbardhen detaje nga aksioni policor që u finalizua me zbulimin e grupit që shiste mina të telekomanduara. Në momentin e arrestimit dy të rinjtë po i dërgonin minat një porositësi, për të cilin policia ende po kryen hetime për identifikimin e tij, por dyshohet se është një biznesmen nga Veriu, shkruan “Panorama”.
Policia e Lezhës arrestoi dy të rinj, të cilëve iu sekuestruan 9 mina gati për shpërthim me telefon në distancë. Sipas të dhënave, secila prej minave kishte një vlerë prej rreth 3 mijë eurosh. Policia bëri të ditur se dy të rinj përfunduan në pranga, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim.
Operacioni policor i koduar “Etalon” u zhvillua pasditen e djeshme në qytetin e Lezhës, ndërsa në pranga ranë Franko Çinari, 21 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar dhe më parë për veprën penale të vjedhjes, si dhe Stavro Kotorri, 18 vjeç, edhe ky banues në Tiranë.
Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim shtetasin me iniciale E.T., 30 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale, ndërkohë që ka dyshime edhe për bashkëpunëtorë të tjerë të këtij grupi dhe po punohet për identifikimin e tyre.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 9 mina me telekomandë të pajisur me telefon për shpërthim në distancë, kallëp lënde shpërthyese tritoli, si dhe materiale të tjera që shërbenin për përgatitjen e këtyre minave.
Dy personat e arrestuar, Franko Çinari dhe Stavro Kotorri, ishin duke lëvizur në qendër të qytetit të Lezhës, ndërsa me vete kishin një çantë sportive, ku brenda gjendeshin minat me telekomandë, ndërkohë që policia po i mbante në vëzhgim.
Në momentin kur panë policinë, të rinjtë tentuan të largoheshin dhe hodhën çantën në një kosh mbeturinash aty pranë, por kjo tentativë ka qenë e kotë pasi ata janë neutralizuar në një kohë mjaft të shpejtë.
Sipas informacioneve, të rinjtë po mbaheshin në përgjim prej disa javësh nga Policia e Lezhës në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e këtij rrethi, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për veprimtarinë e këtij grupi kriminal.
Mësohet se policia përdori një agjent të infiltruar për të rënë në gjurmët e trafikantëve të minave nga Tirana. Nga ana tjetër, vijojnë hetimet për këtë grup. Sipas policisë, një minë me telekomandë që shpërthehet nga distanca shitej për një çmim prej 3 mijë eurosh.
Të paktën kështu ka raportuar agjenti i policisë i infiltruar, që ra në kontakt me anëtarët e grupit. Në momentin e arrestimit dy të rinjtë po i dërgonin minat një porositësi, për të cilin policia ende po kryen hetime për identifikimin e tij, por dyshohet se është një biznesmen nga Veriu.
Blutë bënë të ditur se, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 9 mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë, 1 çantë sportive, 1 kallëp lënde shpërthyese (tritol), 4 magnetë, tela, kaçavida e materiale të tjera që shërbenin për përgatitjen e kë- tyre minave.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur vendin e prodhimit të këtyre minave. Gjatë viteve të fundit në vendin tonë minat e telekomanduara janë përdorur në shumë atentate, duke shkaktuar disa viktima. Përdorimi i tyre bëhet kryesisht për faktin se policia e ka thuajse të pamundur të bëjë më pas identifikimin e autorëve.
ma.me