Kreu i LSI Durrës, njëkohësisht kandidati që kryeson listën për Durrësin, Lefter Koka, ka folur me një gjuhë të ashpër për kolegët e tij të mazhorancës deri në rang ministrash, që sipas Kokës e kanë lënë në harresë qytetin bregdetar.
Koka tha para banorëve se nuk është zgjuarsi të dalësh para qytetarëve dhe të bësh retorikë boshe, pasi është koha për të vepruar në të mirë të vendit.
“Për 4 vjet ata që votuat a e kujtoi kush Durrësin, a bëri diçka për Durrësin? Besoj që i keni parë vetëm në 2013, dhe unë këtë jua them me siguri. Nuk dua të paragjykoj asnjë nga kolegët deputetë, qofshin këta dhe ministra por, mendoj që duhet të qëndrojmë sa më afër njerëzve për tu qëndruar afër problematikave të tyre. Nuk është kjo mënyra e të bërit politikë, gjërat janë shumë më të thjeshta se sa këto që thuhen. Nuk është zgjuarsi të dalësh, të flasësh të bësh retorikë, zgjuarsi është të dish të dëgjosh dhe të zgjidhësh problematika. Të mos ngresh mure vështirësie për të zgjidhur një problem të qytetarëve, për ta thjeshtuar dhe zgjidhur problematikën. Në fakt ne këtë filozofi kemi patur, këtë kemi dhe këtë do të kemi”, tha Lefter Koka gjatë fjalës së tij në vijim të turit elektoral në lagjet 12 dhe 16 të Durrësit.
Ministri Koka tha para banorëve se, kjo zonë meriton shumë më shumë vëmendje nga pushteti lokal, duke u shprehur se, “Unë besoj që zona juaj meritonte shumë më shumë dhe më vjen shumë keq kur dëgjoj, që të konsiderohet si një zonë që mund të mos kesh shumë dëshirë për të banuar, sepse cilësia e jetës, banimit nuk është ajo që dëshiron çdokush nga ju” /b.d