Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, gjatë një takimi me banorë të njësive 1 dhe 2 në Tiranë, u shpreh se ne po hyjmë në këto zgjedhje të cunguar dhe me një formulë ku dy partitë e mëdha, jo vetëm e mbajnë peng sistemin zgjedhor, por e mbajnë peng me konfliktualitet.
“Ne sot kemi një kastë politike e cila është e mbërthyer në disa duar. Kjo është arsyeja që ne hymë në këto zgjedhje të cunguar. Me një formulë ku dy “mamuthët e mëdhenj” të politikës, jo vetëm e kanë kapur peng sistemin zgjedhor, por e mbajnë peng me konfliktualitet, pikërisht qytetarëve shqiptarë që ata të mos kuptojnë ku është interesi i tyre. Prandaj ne ju ftojmë që t’i bashkoheni slloganit tonë “Veç një Atdhe”, u shpreh kryetari i PDIU-së.
Shpëtim Idrizi u bëri apel shqiptarëve të mos largohen nga Shqipëria, por t’i bashkohen PDIU-së, në mënyrë që politika të mos mbetet në duart e disa partive, por në duart e të gjithë shqiptarëve.
“Unë jam shpresëplotë që edhe në ditët në vazhdim, gjysma e spektrit politik shqiptarë do ta gjejë mundësinë për të hyrë në këto zgjedhje. Unë bëj thirrje vazhdimisht për kompromis, për zgjidhje, sepse nuk garojnë thjeshtë partitë politike, por është mundësia e qytetarëve shqiptarë që një herë në 4 vjet, të zgjedhin”, u shpreh ai.
Ndërkohë, deputetja Mesila Doda tha se PDIU ka verifikuar listën e kandidatëve për deputete, në mënyrë që asnjë prej tyre të mos ketë lidhje me të shkuarën komuniste. /b.d