Ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, hedh dritë mbi protestën e thirrur nga opozita e vendit më 13 maj.
Klosi argumenton për gazetën “TemA”, se nuk sheh asgjë serioze në motivin dhe në organizimin e tubimit, duke e konsideruar atë si një “shashkë” të hedhur për të krijuar gjendje frike.
“Kjo protestë më duket absolutisht e paarsyeshme. Të gjitha protestat në mbarë botën bëhen për një gjë të qartë: Të kërkohen zgjedhje për t’u ndërruar qeveritë.
Ndërkohë ne zgjedhjet i kemi në prag dhe kjo gjë mund të realizohet përmes një procesi demokratik.
Në gjykimin tim këtu problemi qëndron tek opozita pasi ata refuzojnë të hyjnë nw procesin zgjedhor,” nënvizon Klosi.
I pyetur nga “TemA” lidhur me mbarëvajtien e protestës, Klosi përjashton alternativën e dhunës.
Ai gjykon se nuk ka hapësirë për tension pasi gjithçka do të jetë e mirëmonitoruar nga institucionet përkatëse.
“Unë mendoj se nuk ka hapësira për tension pasi gjithçka do të jetë e mirë monitoruar. Nuk u del hesapi organizatorëve në këtë drejtim.
Ja u përplasën, ja u arrit tensioni, ja u dhunuan institucionet, po pastaj? Çfarë do arrijnë? Nëse do ketë dhunë është absurditet.
Çfarë ndodhi pas 21 janarit? Hiç gjë, vijoi siç ishte legjistratura.Ose do quhet grusht shteti, ku kjo gjë përjashtohet pasi nuk e kanë ata këtë gjë.
Unë kam eksperiencën time ku më 14 shtator të vitit 1998 u morën të gjitha institucionet kryesore, kryeministri iku jashtë vendin dhe praktikisht nuk u bë asgjë.
Ata ikën vetë. Ja tregove forcën dhe arrite atë që do, e pas kësaj çfarë vjen?”shprehet Klosi.
Sa i përket hipotezave të hedhura në media se grupe të vogla njerëzish po stërviten për protestën e së shtunës nga ish-drejtues të Policisë së Shtetit gjatë kohës kur PD ka qenë në pushtet, Klosi shprehet skeptik.
Ai mendon se një gjë e tillë nëse do të ishte e vërtetë do të ishte mjaft e rëndë.
“Unë nuk e besoj dhe nuk dua ta besoj se mund të ketë policë apo ish-policë që mund të ndërmarrin një bashkëpunim të tillë. Ata nuk mund ta bëjnë kurrsesi këtë gjë. Forcat blu e dinë mjaft mirë se si rrjedhin ngjarjet dhe më pas pasojat.
E dinë se po u kapën 3-4 prej tyre, do tregojnë dhe do mësohet se cilët i kanë stërvitur. Nëse është e vërtetë kjo gjë, do të jetë mjaft e rëndë. Duhet të kuptojmë se s’jemi më në vitin 1997.
Këtë e shoh si një tymnajë të hedhur për të treguar se do bëhet nami. Nuk bëhet asgjë me dhunë në mes të Evropës,”pohon ish-kreu i SHISH për “TemA”.
Lidhur me këtë Fatos Klosi ndalet edhe tek deklaratat që tregojnë se Partia Demokratike ka thirrur një marins amerikan për t’i ardhur në ndihmë mbi organizimin e protestës.
Ai e cilëson këtë lëvizje si qesharake pasi marinsat nuk janë të përgatitur për të mobilizuar protesta, por për t’i çorganizuar ato.
“Ata që mund ta kenë thirrur marinsin janë krejtësisht të pa informuar. Duhet të dimë se marinsat amerikanë janë të stërvitur për të thyer protestat dhe jo për t’i organizuar ato. Pra nuk janë për këtë punë.
Gjithsesi këtë e shoh thjesht si një propagandë të hedhur në erë dhe jo se marinsi ka ardhur apo do të vijë. Në këtë pikë, nuk shoh ndonjë gjë serioze sikurse nuk është serioze edhe protesta e iniciuar nga Partia Demokratike. Historia e marinsit dhe e demostratës bëhen për të krijuar gjendje frike,”argumenton Klosi.
Ndërkohë Fatos Klosi ndalet edhe tek situata e turbulluar politike në Maqedoni të cilën e sheh se vjen nga papjekuria politike.
Ish-kreu i SHISH nuk sheh ndonjë rrezik se në Shqipëri mund të implementohet ndonjë skenar i ngjashëm me atë të fqinjëve tanë.
“Ngjarjet e fundit për mua tregojnë se të dyja klasat politike, si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni janë njëlloj të papjekura, në të njëjtin stad foshnjor dhe me një eksperiencë 20-25 vjeçare të dala nga hiçi. Janë dy klasa politike që politikën ende e quajnë biznes.
Gjithsesi unë nuk shoh ndonjë skenar se në Shqipëri mund të ndodhin trazira si në Maqedoni,” përfundon Klosi. /b.d