Football Leaks ka sjellë detaje të reja për shumat e mëdha që ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo fiton. Pasi bënë publike të dhëna në lidhje me transferimin e Paul Pogba në radhët e Manchester Unitedit, ku menaxheri i tij Mino Raiola kishte përfituar 42 milionë euro, të tjera detaje zbulohen në lidhje me shumat që janë paguar për transferimin e tyre, por edhe për pagat që ata përfitojnë.
Libri i shkruar nga ana e dy gazetarëve gjerman në bashkëpunim me Football Leaks, i quajtur ndryshe “The Dirty Business of Football” që në shqip përkthehet “Biznesi i pisët i futbollit”, bëri që FIFA t’i kërkonte shpjegime “Djajve të Kuq” në lidhje me shumën e paguar për mesfushorin francez.
Të gjithë jemi kurioz të dimë se sa përfitojnë futbollistët më në zë dhe është Football Leaks ai që zbulon çdo dilemë. Emri i parë padyshim që është ai i Cristiano Ronaldo dhe milionat që vërshojnë në drejtim të portugezit janë të mëdha. 1.1 milon euro për gjysmë dite pune, transmeton Supersport.
Këto para janë përfituar në vitin 2013, nga një kompani telefonike, e cila ka shfrytëzuar imazhin sulmuesit të Real Madrid. Katër herë fituesit të “Topit të Artë” iu desh vetëm një set fotografik, disa autografe, në total katër orë e gjysmë punë. Libri gjithashtu ilustron dhe pasurinë e Ronaldos të shpërndarë nëpër vende të ndryshme si Hong Kong, Zvicër apo Panama, që kontrollojnë në mënyrë ligjore financat e tij.
Kur uellsaiani Gareth Bale u transferua në vitin 2013 tek Los Blancos, klubi spanjoll në konferencë për shtyp deklaroi se për sulmuesin janë paguar 91.5 milionë euro, por në bazë të dokumenteve të siguruara, në libër shkruhet se për Bale janë paguar 101 milionë euro. E gjitha kjo supozohet të jetë bërë për të mos ulur vlerat e Ronaldos, i cili u transferua në Madrid për shumën e 95 milionë eurove. Detaje dhe të dhëna që janë mbajtur të fshehta nga ana e drejtuesve të ndryshëm klubesh, janë të shkruara në brendësi të këtij libri dhe Fifa me shumë mundësi do të trokasë në dyert e këtyre skuadrave, të cilët kanë mbajtur të fshehtë këto të dhëna. (b.an)