Presidenti rus Vladimir Putin është njëri nga njerëzit “më të mbrojtur në botë”. Për jetën e shefit të Kremlinit, në çdo sekondë kujdesen 10 mijë njerëz të cilët janë shkolluar në akademitë “më të mira”.Në mesin e tyre ka komando të trajnuar mirë, për të cilët as familjarët e tyre nuk e dinë se me çfarë merren, qindra agjentë, sigurimi personal, dhe persona me detyra të veçanta, siç janë kuzhinierët dhe degustatorët e ushqimit, transmeton Telegrafi.
Kur Putin shkon për ndonjë vizitë zyrtare në ndonjë vend, pjesëtarët e sigurimit vizitojnë atë vend disa muaj më herët për ta inspektuar terrenin. Pas kësaj, agjentët federalë të shërbimit sekret kryejnë analiza dhe hartojnë planin e lëvizjes së presidentit.
“Edhe pse duket që Vladimir Putin shëtit rrugëve pa ndonjë plan të caktuar, megjithatë, e vërteta është se në ato momente atë e vëzhgojnë mijëra persona që janë pjesëtarë të sigurimit. Kriteret për të qenë pjesë e sigurimit të tij janë fare të qarta, duhet të jenë 20 centimetra më të gjatë se presidenti, por në të njëjtën kohë të jenë të padukshëm”, ka deklaruar një gazetar rus.
Në krye të shërbimit sekret të Putinit tash e 14 vite është gjenerali Viktor Zolotov, për të cilin është shkruar shumë se pak njerëz dinë për jetën e tij private. Ai është njeriu i Putinit në hije. (b.an)