Kryetari i LSI, Petrit Vasili, tha sot se qeveria duhet të jetë e kujdesshme me opozitën sidomos kur shantazhohet apo kërcenohët.
Referuar retorikës së Edi Ramës, Vasili tha se shprehje si “PD po vetëasgjësohet” apo “këputje kokash nga Vettingu” vetëm sa e minojnë procesin e negociatave dhe kompromisin e mundshëm.
“Ne jemi që opozita të jetë pjesë e procesit zgjedhor. Ju e dini që ne e kemi ndihmuar më shumë se kushdo opozitën, qoftë me mandatet qeverisës që ia vumë në dispozicion” – tha Vasili.
Kreu i LSI e cilësoi si gabim të rëndë refuzimin e opozitës sa i përket paketës së ofruar nga David McAllister dhe Edi Rama. Sipas Vasilit, oferta McAllister ku opozitës i jepeshin edhe poste ministrore ishte një qasje e Ramës për një mënyrë kompromisi.
I ftuar në studion e Eni Vasilit, kreu i LSI dhe njëkohësisht ministër i Drejtësisë konfirmoi se është bashkëpunëtor i Ilir Metës prej vitesh. Ai tha se nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të zgjidhej në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Vasili komentoi edhe tërheqjen nga Kavaja duke e cilësuar si një mundësi për çtensonimin e situatës. /b.d