Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi sot nga Shkodra se çdo lloj lëvizje në polici bën mirë. Pak lëvizjeve të shumta në Policinë e Shtetit me marrjen e detyrës së ministrit nga ana e tij, Xhafaj ka folur nga Shkodra, ku tha se këto lëvizje japin një ritëm të ri në punë. Ai foli edhe për rolin e policisë në zgjedhje si dhe për paralajmërimet e opozitës për protestën e 13 majit.
“Policia nuk do përfshihet në zgjedhjet e 18 qershorit por do të siguroje procesin zgjedhor për të shmangur çdo problem. Zgjedhjet janë të garantuara sepse i garanton kushtetuta. Policia bën detyrën që i jep ligji. Çdo lloj lëvizje në polici bën mirë për t’i dhënë një ritëm të ri”, u shpreh ministri i Brendshëm raporton BW.
Xhafaj tha se protesta e 13 majit ‘është një çështje që mbetet për t’u parë sa i përket informacioneve për ndonjë problem të mundshëm’.
Duke u ndalur tek lufta kundër kanabisit, ministri i Brendshëm deklaroi se është një prioritet dhe në Shkodër dhe se me angazhimin e qeverisë ky fenomen do të vijë drejt shuarjes.
“Lufta kundër kanabisit edhe në Shkodër është një prioritet sepse zona të caktuara janë Lazarati me kanabis…Kemi harruar se kemi një Lazarat në Shkodër. Me angazhimin e qeverisë ky fenomen do vijë drejt shuarjes. Për 2017 Shqipëria nuk do jetë në hartën e kanabis. Kjo luftë është një proces që vazhdon gjatë”, tha Xhafaj.