Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacoli, ka vizituar familjet e pesë punëtorëve të kompanisë “Mabetex”, të cilët ditë më parë humbën jetën në një aksident në një kantier ndërtimi në Astana Kazakistanit.
Përmes një postimi në Facebook Pacolli ka pohuar që këto kanë qenë momentet më të vështira, të cila nuk do t’i harrojë kurrë. Ai ka bërë thirrje që të gjithë të lutemi për familjet e viktimave.
Lexojeni të plotë postimin e Pacollit në Facebook:
“Të dashur miq, të dashur kolegë dhe të nderuar përfaqësues të mediave.
Këto ditë kanë qenë vërtetë shumë të vështira për mua, për familjen time dhe të kompanisë Mabetex. Por më së shumti për familjet e viktimave në Astana, të cilet edhe personalisht i vizitova. Kjo ngjarje tragjike sigurisht që do të jetë me mua tërë jetën.
Me këtë postim dua vetëm të ju falënderoj shumë për mbështetjen e juaj në këto ditë të vështira. Për ngushëllimet dhe emocionet e juaja. Që ishit me mua, me familjet dhe me kompaninë time në këtë tragjedi. Gjithashtu falënderoj Kryetarin e Kuvendit z. Veseli, Kryeministrin Mustafa dhe ministrin e Jashtëm z. Thaçi për ngushëllimet e tyre.
I lutem Zotit që kjo mos t’i ndodhë askujt më. Dhe të lutemi se bashku për familjet e viktimave” (sic.), ka shkruar Pacolli. /Telegrafi/