Emmanuel Macron u shpall Presidenti i ri i Francës me 66.06% të votave, sipas të dhënave të fundit, siç raporton Tg.com, e ndërsa gëzon fitoren, deklaron se është koha të ecet përpara.
Ai nuk ka nguruar të deklarojë se do habisë mbarë botën me punët që do bëjë, ndërsa thekson se “ Mbi të gjitha do jemi guximtarë”.
Pasi bëri disa hapa në këmbë në sheshin përpara muzeut të Luvrit, Macron u ngjit në skenën e improvizur dhe mes emocioneve deklaroi: “Kemi zgjedhur të jemi të guximshëm dhe do vazhdojmë të jemi të tillë, sepse këtë pret e gjithë bota nga ne. Presin që Franca të jetë Francë. Me fitoren e arritur në do habisim gjithë botën”,- ka thënë 39-vjeçari.
Presidenti i 25-të i Francës deklaroi ndër të tjera se detyra të mëdha e presin duke filluar nga zgjedhjet legjislative të qershorit. “Na duhet të ndërtojmë një shumicë që sjell ndryshimin. Kam ende nevojë për mbështetjen tuaj, nuk do heqim dorë, do ecim përpara. Unë do shërbej nënë moton e: Lirisë, barazinsë dhe vëllazërisë. Rroftë Franca”,- thotë ai dhe turma e mbështetësve brohoret duke ngritur lart flamujt e Francës.
Macron fitoi 20,703,631 vota, ku spikat vota masive e parizienëve, ndërsa liderja e Frontit Kombëtar u ndal në 10,637,183, ose 33.94% të votave.
VIZITA E TIJ E PARË JASHTË FRANCËS
Mësohet se vizitën e tij të parë si president, Macron do ta zhvillojë në Berlin. Kancelarja Angela Merkel ishte ndër të parat që e uroi mbrëmë fill pasi sondazhet e nxirrnin fitues. Njësoj siç bëri François Hollande, në vitin 2012, ashtu edhe Macron do zgjedhë sërish Berlinin për vizitën e tij të parë.
c.a