Vitin e shkuar i njëjti Ministër grek do të vinte në kufirin e Shqipërisë, i veshur me uniformë ushtarake, ndërsa sot, Panos Kamenos, i veshur me kostum jep të njëjtin mesazh për Shqipërinë.
Tezat e Shqipërisë së Madhe, që sipas tij hidhen në tregun mediatik shqiptar shpesh herë, janë të dënueshme dhe të patolerueshme.
Këto deklarata, Ministri i Mbrotjes Panos Kamenos i ka bërë gjatë një interviste të tij në televizionin grek “Skai”. Kamenos tha se Shqipërisë duhet t’i interesojë shumë ruajtja e marrëdhënieve të mira me Greqinë.
“Ne me Shqipërinë bisedojmë për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, për të drejtat e njeriut të minoritetit grek, por jo për çështje që rëndojnë Greqinë ose për çështje të cilat janë të mbyllura. Debate të tjera si ato për ndryshim kufijsh në Ballkan jane thjesht provokime dhe teza të nacionalisteve dhe Greqia jo vetëm nuk i përkrah, por i dënon ashpër ato.”- tha Ministri i Mbrojtjes.
Kamenos ka folur në lidhje edhe me pranimin ose jo të emrit të “Maqedonisë” si shtet. Ai ka thënë se Athina zyrtare nuk do ta njohë kurrë emrin e shtetit me të cilin ndan kufijtë, por ka shtuar se, ashtu siç po shkon situata, në diskutim mund të vihet edhe ekzistenca e shtetit.
Disa javë më parë, në një intervistë për prestigjiozen “Politico”, Kryeministri Edi Rama do të shprehej se mundësia e një bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte një alternativë e mundshme, nëse BE do t’i mbyllte derën këtyre dy shteteve të të njëjtit komb.
Kjo deklaratë solli reagime të ashpra, jo vetëm nga Serbia dhe Greqia, por edhe nga vetë BE.