Keni kaluar shumë peripeci në karrierën tuaj, për shkak të “biografisë” së familjes së bashkëshortes. Si rezistuat në skenë?
Kur e futën vjehrrin tim për herë të dytë në burg, time shoqe e spostuan nga violinë e parë, në karrigen e dytë. Kishte ardhur një ekip, me Sofokli Lazrin në krye dhe panë koncertin. Siç ishte adeti asokohe, u ngritën të gjithë në këmbë duke bërtitur “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë” dhe unë prezantoja programin. U spostova sepse udhëheqja do dilte, këta në krye dhe 26 veta nga pas. Njëri nga pjesëtarët nga udhëheqja ndalon tek unë e më thotë: “A je Guljelm Radoja. Si e ke nanën?”. “Mirë”,-ju përgjigja. “Po grun, po fëmijët?”-vazhdoi ai. “Mirë”,- përgjigjem përsëri. Më drejtohet në shkodranishte: “A ta ka kastigu kush grun?”-Më pyeti, domethënë a ta ka ngacmuar njeri gruan. “Jo”-i thashë. “Në ta kastigon kush, dije se ke një mik që quhet Muho Asllani. Tungjatjeta!”- dhe iku.
Në atë kohë, Muho Asllani ishte sekretar i parë i Durrësit dhe anëtar i Byrosë Politike.
Kjo, e dashur, është si ajo përralla e këpucarit me mbretin. I doli rrota e karrocës së mbretit. Këpucari e ndihmoi. Mbreti e pyeti se çfarë dëshironte këpucari nga mbreti. “Asgjë!”- u përgjigj këpucari. “po më thuaj se unë jam mbreti”- këmbënguli mbreti. “Mirë pra, sa herë që të kalosh nga unë, do vish e do më thuash në vesh, ik mbushu!”- tha këpucari. Pra që të gjithë të mendonin se këpucari ishte konfident me mbretin e askush nuk do të guxonte ta ngacmonte.
Nga veriu në jug, jeta ju ka lidhur me disa qytete…
Unë kam lindur në Shkodër, jam rritur te medreseja në Tiranë, u shkollova tek “Misto Mame”, të mesmen tek gjimnazi “Çajupi” ku kisha pedagogë shumë të mirë e ku u bëra aktori që jam sot. Më pas Instituti i Lartë i Arteve ku njoha dhe bashkëshorten, me të cilën u fejuam të dy të rinj. Më kujtohet sekretari i partisë që më tërhoqi vëmendjen: “Je menduar mirë që je fejuar ti?”
“Po derisa u fejova, sigurisht që jam menduar mirë”-ju përgjigja me guximin djaloshar.
“A e di ti që ke marrë për grua vajzën e armikut të popullit?”-m’u drejtua me nerv.
“Unë di që kam marrë për grua vajzën, e jo babën!”- replikova dhëmb për dhëmb.
“Priti pasoja pra, Radoja”- mu përgjigj.
Unë direkt e në Librazhd. Vajza ishte vetëm 17-ditëshe. Bashkëshortja ime ishte në vitin e dytë të Universitetit, ishte vetëm 19-vjeçare kur u bë nënë e unë 20-vjeçar kur u bëra baba. Familja ime ishin të gjithë mekanikë, kishin mbaruar të gjithë “Harry Fullzin”. Baba shkoi trokiti tek ministri Thoma Deljana e ai i premtoi që në krye të një viti mua do më transferonte në Tiranë. “Fjalë ministri apo fjalë burri?”-e pyeti atë baba. “Fjalë burri!”- u përgjigj ai. Dhe ashtu ndodhi. Kishin kaluar vetëm 9 muaj kur u riktheva në kryeqytet.
Pavarësisht studimeve apo talentit, Tirana më largoi si aktor në teatër për shkak të biografisë. Më kërkuan në Korçë, më kërkoi Todi Lubonja. Por kisha frikë se mbesja në Korçë, pra shumë larg. Përfundova në Fier si regjisor estrade. Nuk më joshte ajo punë që bëja, por si serioz në punë e bëra për tre vite. Më pas vazhdova në Durrës ku dhe qëndrova dhe arrita të xhiroj 26 filma vetëm në periudhën e komunizmit.
Nuk ju pranoi Tirana, por a u rikthyet aty ndonjëherë?
Po. U riktheva, më shumë ishte një inat imi, një sfidë, një mllef. Por nuk duhet ta bëja, sepse gjeta një ambient të ndryshuar plotësisht. Kur një ministër i asaj kohe më shprehu dëshirën për të bërë një ceremoni për daljen time në pension, ju përgjigja: “Unë ceremoni? Po ju them që do të bëj atë që i kam thënë tim biri të bënte, kur u largua nga Shqipëria. Ik e mos e kthe më kokës pas! Kështu do të bëj dhe unë me teatrin.”
Kur më hoqën nga Teatri Kombëtar në 1969 ishte një ambient miqsh, ishte kënaqësi të rrije me Sandër Prosin, Prokop Mimën, Pandi Stillun, me njerëz të mëdhenj. Ndërsa në 1996 gjeta një xhungël. Kishte një urrejtje deri në vdekje për njëri-tjetrin. Imagjinoni, ishte dikush që kishte gëzim patologjik kur aktori Ndriçim Xhepa kaloi një sëmundje të rëndë e mund të humbte jetën. Deri këtu arrihej. Ky ambient nuk ishte më për mua.
Dhe si ndodhi që erdhët në Durrës?
Në Durrës pata fat të madh, në teatrin “Aleksandër Moisiu” pata një boom që në rolin e parë. Ishte një inat i regjisorit Mihallaq Luarasit me teatrin, sepse durrsakët ishin si korçaret, të lidhur fort me njëri-tjetrin dhe shumë lokalistë. Sot kanë ndryshuar shumë gjërat. Por asokohe nuk të pranonin kollaj. Vihej në skenë kryevepra e Fadil Paçramit, “Çështja e inxhinier Saimirit” dhe siç ishte procedura, bëhej kasti. Durrsakët “e vjetër” çohen e bëjnë diktat, thonë jo, duam një aktor durrsak. Mihallaq Luarasi i kundërshton me argumentin se ai ishte regjisori e se ai caktonte se kush luante rolin, e se do ta luaja unë. Dhe unë e luajta rolin me sukses.
Si erdhën kohët e filmit “Gjurma”, roli juaj i parë në film?
Po. Një nder i madh që më bëri profesori im, i madhi Naim Frashëri. “Nuk të mbajta dot në Tiranë, por a ke dëshirë të luash në film?”-më tha. “Profesor, me këtë biografi, nuk bëhet dot, por do ishte kënaqësia më e madhe për një aktor.”- ju përgjigja.
“Atë e di unë! Ti seç ke diçka që do kesh sukses nëpër filma”- më tha Naim Frashëri. Dhe ashtu u bë, më mori me vete. Nuk e di as sot si ja doli, por arriti të më bënte të luaja në film. Kjo puna ime ishte si ai djali që Dhimitër Anagnosti vendosi ta merrte në rolin e Gjinos, djali vlonjat vinte nga familje e persekutuar, por puna vajti deri tek “gjirokastriti” e Dhimitër Anagnosti o merrte atë o s’ka. Kujtoj me nostalgji se më morën me vete të flija me ta. Aktorët e mëdhenj të filmit, më quanin plaku i dhomës, se ndizja sobën që pa gdhirë, bëja kafenë, por më donin shumë.
Por ju mbaheni mend më shumë për filmin “Shtigje lufte”…
Në vitin 1974, i jam shumë faleminderit regjisores Donika Muçi, që ka drejtuar shumë dokumentarë, për filmin “Shtigje lufte”. Ishte merita e saj që më drejtoi tek regjisori Pirro Milkani. Është filmi ku marr 27 copë shpulla nga Timo Flloko. Kujtoj që rrinin grimierët me sfungjer e ujë të ftohtë, e unë që i thosha Timos, më gjuaj me shpullë pulsi e jo me krahë. Ato shpulla i kujtoj edhe sot. Në fakt, nisi pas një eksperimenti që doli fiasko që do bënte Faruk Basha, nata amerikane, pra të xhirohej natën me filtra dite. Ndaj unë hëngra shpullat e dy dublave. Hahahaha…
Si detaj skenik, sytë tuaj janë përdorur shumë, kujtoj filmin “Gjeneral Gramafoni…
Ah po, ka një batutë aty “ka një vështrim prej gjarpri”. Nganjëherë aktori niset nga një detaj për të kapur, siç ne e quajmë, syrin e personazhit. Pra ky ishte një italian mashtrues, një gjarpër. Kishte një zbulim gjenial aty të Vath Koreshit, dy anët e gramafonit. Detaje fantastike. Ai film ka një batutë “të rrezikshme”, të guximshme. “O popull, shumë gjëra bëhen, thuhen në emrin tënd…” fjala ishte për “gjirokastritin”. Pra në mënyrë të kamufluar tentohej të shpreheshin mendime antisistem, por kishte shumë rrezik.
Nuk harroj, aktorja Antoneta Papapavli, shkroi padashur në dërrasën e zezë të filmit në vend të “partia na dha lirinë” shkroi “paria na dha lirinë”. Nuk i harroj mbledhjet pa fund, “e ke bërë me dashje, kush është kjo pari që na dha lirinë”. Shpëtoi nga krushqia, pjesë e Komitetit Qendror, se rrezikonte shumë.
Rikthehem tek bashkëshortja juaj, një dashuri e madhe mes jush që ju nuk hoqët dorë prej njëri-tjetrit edhe pse jua kanë kërkuar besoj….
Ne këtë vit bëmë 50 vite bashkë. Ajo vazhdon t’i bjerë violinës. Sot me humor i them kur grindemi se si nuk të hoqa qafe atëherë. Hahahaha…
Përtej shakave, jam ky që jam edhe falë sakrificave dhe mbështetjes së sime shoqeje. Pa të nuk do kisha arritur dot të bëja asgjë. Kemi dy fëmijë të mrekullueshëm, një djalë e një vajzë, të dy artistë. Ata sot jetojnë në Francë. Pika ime e dobët? Mbesa ime Fiona. Sot ajo është pianiste dhe pedagoge në Francë. Është debolesa dhe krenaria e gjyshit.
Keni luajtur në disa filma me spiunazh, nga të parët në Shqipëri si filma “thriller”. Më tregoni ndonjë mbresë…
Përveç filmit “Gëzhoja e vjetër” ose “Vrasje në gjueti” ka qenë dhe filmi “Gracka”. Kam një episod të bukur. Filmi i Saimir Kumbaros. Asistojmë në një tregim nga Pilo Shanto, një nga ata heronjtë e heshtur. Kishte organizuar rrethimet e diversantëve. Unë luaja rolin e radistit. Në fund fare, ndenji me mua dhe më foli për personazhin që unë do të interpretoja. “Në të gjithë jetën time me diversantët ky radisti është nga çuditë e mëdha. I shkolluar në Itali në akademi ushtarake, me origjinë nga Dibra. Ne e rrethuam në Shpellën e Pëllumbave në Bizë me të gjitha forcat e ndjekjes e nuk e kapnim dot. Në film arratiset me policin dhe e vrasin por në të vërtetë ai vret policin dhe vetëvritet. Pas vdekjes është “sharruar” me plumba, aq shumë urrejtje kishte atëherë”. Këtë ma ka treguar edhe i biri, i cili edhe vetë kishte bërë mbi 20 vite burg, që erdhi të më takonte, duke lotuar, ndërkohë kërkonte varrin e të atit. Por mbeti varrhumbur.
Pas viteve ’90 erdhi roli juaj në kryeveprën e Beketit “Duke pritur Godonë”. Jehonën ia mbaj mend por nuk gjeta dot asnjë material mbi këtë pjesë. Pse?
Pjesa erdhi e vënë në skenë nga Arben Kumbaro. Një natë më bie telefoni në Durrës e ma ofrojnë rolin. Më pas mësova se ishte me hile, se Bujar Lako dhe Vangjush Furxhiu ia kishin lënë rolin në mes. Nuk e di arsyen. Por unë nuk kam pasur kurrë komplekse dhe sedër të sëmurë dhe e bëra punën.
“Vij në këmbë nga Durrësi për këtë rol”- i thashë. Është roli më i mirë i jetës time në teatër. Sepse Godo-ja përkonte me ne, me brezin e tim eti, timin, tim biri. Jemi ne, jam unë, je ti, është ky vend. Sa vite tranzicion kemi dhe presim ende Godo-në, të na shpëtojë. Është ëndrra që ta shohim këtë vend shtet, larg kësaj katrahure ku jemi.
Por unë nuk kam asnjë kujtim nga ai rol. Të gjitha i mori në xhep Arben Kumbaro, për vete. As foto, as filmime, asnjë kujtim apo gjurmë. Morëm edhe çmimin e madh të Republikës në atë kohë, të gjithë si grup, e nuk kemi kujtime. Por të gjitha trofetë i mori Arben Kumbaro. Ishte një projekt privat me paratë e “Sorosit”. Unë dhe Agim Qirjaqi reaguam shumë, por nuk morëm dot asnjë material.
Sot ju jeni prej shumë vitesh edhe pedagog në Akademinë e Arteve. Si i shikoni aktorët e rinj?
Kur u riktheva në Teatrin Kombëtar gjeta moshatarët e mi që nuk ishin më ata që kishin qenë. Pengu im është që u riktheva. Dominonte interesi, paraja. Kjo vazhdon edhe me brezat e rinj. Saimir Kumbaro më thotë se kishte nevojë për një aktore të re. I them një studentes time e ajo më kërkoi menjëherë se sa do fitonte nga filmi. “Këtë semestër do e mbyllësh me mua se nuk të heq dot, më pas kërko një profesor tjetër. Je dështimi im pedagogjik. Si nuk ke turp ti që kërkon sa para do fitosh. Pa thënë “faleminderit profesor që më rekomandove”, pa falënderuar regjisorin, pa lexuar skenarin, pa e peshuar fare filmin?”- i thashë. Ja. Kjo është fatkeqësia jonë.
Nuk e di se cili qe budallai që hodhi gurin në lumë, që të hiqen filmat tanë. Por e pyes: Cilat produkte na ofruat në këto 27 vite që të hiqen ato përpara tyre? Me se do të zëvendësohen, me “Portokalli-në”, “Al Pazar”, “Apartamenti 2XL”??? Kjo kërkesë është një mizerabilitet.
E më vjen në mendje profesori im që thoshte: “Miqtë e mi, në zanatin tonë ka dy alternativa. O duhet ta ngremë spektatorin nga plateja në nivelin e skenës, ose duhet të zbresim ne në nivelin e plate-së.”
Fatkeqësisht ndodhi kjo e dyta, ne kemi zbritur në shije të rëndomta.
FILMOGRAFIA
1970: Gjurma
1974: Shtigje lufte
1975: Në fillim të verës
1975: Zani partizani
1976: Dimri i fundit
1977: Shembja e idhujve
1978: Gjeneral gramafoni
1978: I treti
1978: Në pyjet me bore ka jetë
1979: Dorina
1979: Mësonjëtorja
1980: Gëzhoja e vjetër
1980: Goditja
1982: Era e ngrohtë e thellësive
1982: Rruga e lirisë
1982: Nëntori i dytë
1983: Gracka
1984: Kush vdes në këmbë
1984: Vendimi
1985: Asgjë nuk harrohet
1985: Mondi dhe Diana
1985: Të paftuarit
1987: Eja!
1987: Vrasje në gjueti
1988: Flutura ne kabinën time
1989: Kthimi i ushtrisë se vdekur
1992: Vdekja e burrit
1994: Nekrologji
1994: Dashuria e fundit
1996: Kolonel Bunker
1998: Dasma e Sakos
1999: Unë, ti dhe Kasandra
2001: Njerëz dhe Fate
2009: Kronika provinciale
2009: Shqiptari
2010: Ditët e humbura
2012: Në kërkim të kujt
Albanian Free Press/ma.me