Pamjet e turpshme të përleshjeve të dhunshme të tifozëve, me të cilat është shoqëruar finalja e Kupës së Greqisë në futboll, kanë bërë xhiron e medieve sportive europiane.
Konfrontimet e tifozëve të ekipeve të futbollit të PAOK-ut të Selanikut dhe AEK-ut të Athinës, në qytetin e Volosit ku luhej ndeshja, kanë filluar disa orë përpara takimit jashtë stadiumit “Panthessaliko”, por kanë vazhduar edhe brenda tij, duke bërë që finalja të fillojë me gjysmë ore vonesë.
Nga përleshjet e dhunshme midis tifozëve me njëri-tjetrin, por edhe me forcat policore, janë plagosur mbi 70 vetë, prej të cilëve 11 janë kuruar në spitalin e qytetit. Ndërsa një prej tyre vazhdon të qëndrojë në spital jashtë rrezikut, por me plagë të thellë në gjoks, shkaktuar nga një mjet i mprehtë.
Ndeshja e planifikuar për të filluar në orën 18:30 është shtyrë, ndërkohë që policia ndërhyri dhe me gaz lotsjellës për të shpërndarë huliganët. Sfida tashmë do të luhet në “Panthessaliko Stadium”.
Megjithëse policia greke ka marrë masa të rrepta, nuk ka mundur të shmangë përleshjet mes huliganëve dhe ka përdorur në shumë raste bomba me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.
Fenomeni i dhunës në futbollin grek mbetet ende i pakontrolluar, me qeverinë dhe shoqërinë që duken të pafuqishme për t’i përballuar ato.
Edhe vitin e kaluar, akte të ngjashme sollën anulimin e finales së Kupës dhe zhvillimin e saj me dyer të mbyllura në një stadium pa tifozë.
c.a