Drejtoria Qëndrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali tha se vetëm gjatë muajit mars të këtij viti u blokuan në shkallë vendi rreth 10,3 tonë lëndë narkotike.
Sipas burimeve zyrtare italiane rreth 7,8 tonë ishte e llojit marijuanë me prejardhje në masën dërrmuese nga Shqipëria, ndërsa rreth 2,5 tonë ishte hashish. Sipas Antidrogës Italiane policia arrestoi në rreth 2300 operacione 2170 persona nga të cilët 1109 të huaj. Mes të arrestuarve të përfshirë në vepra të trafikut dhe shpërndarjes së drogës 214 persona ishin të mitur.
Operacione antidrogë edhe në Shqipëri, 5 persona të arrestuar
Operacione antidrogë u shënuan në fundjavë edhe në Shqipëri. Policia e Fierit tha se sekuestroi këtë fundjavë 78 kg lëndë narkotike dhe arrestoi në flagrancë një shtetas që po transportonte drogën. Sipas policisë së Fierit lënda narkotika u gjet në një automjet që udhëtonte në drejtim të Fierit. Policia deklaroi se lënda narkotike ishte e presuar në pako dhe e mbështjellë posaçërishtë me qëllim për t’u trafikuar më pas drejt Italisë. Një tjetër operacion u njoftua nga Policia në Novoselë të Vlorës ku u bllokuan 78 kilogramë marijuanë, u arrestuan 4 persona dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim policor. E gjithë sasia e lëndës narkotike të bllokuar i përket kultivimit të vitit të shkuar ku në të dy rajonet u shënuan vatra të shumta të mbjella me marijuane.
Policia greke: trafikantët zbulojnë rrugë të re për transprot droge
Polcia greke tha kësaj jave se sasi të reja lëndësh narkotike u bllokuan në zonat veriroe greke pranë kufirit me Shqipërinë. Gjatë operacioneve policore janë arrestuar të paktën gjashtë persona dhe ndaluar dhjetëra kilogramë marijuanë.
Policia greke vëren se trafikantët po përdorin makina me qera, të marra në kompanitë greke për të transportuar sasitë e mëdha të drogës nga kufiri shqiptar për në brendësi të vendit. Sipas policisë greke trafikantët e kanë më të lehtë t`i shpëtojnë gjurmimit të policisë me këto makina. Më parë trafikantët përdornin makina shoqëruese të cilat i paraprinin në segmentet rrugore makinave të ngarkuara me lëndë narkotike dhe sinjalizonin trafikantët nëse kishte kontrolle policore. Pas zbulimit të disa rasteve të këtyre makinave, të drejtuara kresisht nga gra, trafikantët duket se e kanë ndryshuar stategjinë e transportimit të marijuanës. /VOA/a.m.