Ministri për Çështjet Vendore, Eduard Shalsi ka komentuar nga Pogradeci vendimin e kryeministrit Edi Rama për tërheqjen e kandidatit të Kavajës. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëse Kavaja ishte një lojë shahu, Shalsi tha se ashtu si në lojën e shahut ku ka lëvizje taktike dhe lëvizje teknike, PS është e vendosur të çojë përpara reformat e nisura. Shalsi u shpreh se tërheqja e kandidatit të Kavajës është një mundësi reflektimi që PD të hyjë në garë.
Zoti Shalsi Kavaja ka qenë një lojë Shahu?
Ne jemi thirrur për të qeverisur këtë vend, krejtësisht ndryshe nga ç’bën paraardhësit tanë, dhe që prej vitit 2013 jemi të vendosur të vijojmë me reformat. Kemi nisur një pjesë, kemi vazhduar me një pjesë tjetër dhe jemi më shumë se të motivuar, të përgatitur për të vijuar rrugën e reformimit të Shqipërisë. Askush, nuk do të mund ta ndal, vullnetin e Shqipërisë, për të pasur një vend më të mirë, një vend më të begatë, një vend më të mirë për të gjithë shqiptarët.
Pse nuk do të votohet nesër z. Shalsi në Kavajë?
Nëse do më pyesni për raste konkrete, ajo që mund t’ju them është që, ashtu si dhe në lojën e shahut, ka lëvizje taktike, ka lëvizje teknike, të gjithë duhet të kuptojnë që Partia Socialiste, Kryeministri Edi Rama dhe kjo mazhorancë, është e vendosur të vazhdojë rrugën e reformave të Shqipërisë. Nëse kundërshtarët tanë, kanë frikë të përballen me ne, për shkak të mungesës së një projekti për Shqipërinë, për shkak se nuk dinë të luajnë me rregullat e demokracisë, sikundër shahu ka rregullat e veta, dhe demokracia ka rregullat e saja. E pra, ajo që ne kemi dashur është të japim një mundësi reflektimi, për të hyrë në garë. Ata e dinë që duke mos pasur asnjë alternativë për Shqipërinë janë të humbur, por ama, në rast se do të dinin pak më mirë lojën e shahut, do të kuptonin se të humbësh nuk është ndonjë hata e madhe, ne i ftojmë të luajnë në demokraci me rregullat demokratike./BW/