Nga Lorenc Vangjeli
Lajmi i tërheqjes së Ramës pati efektin e viagrës për çadrën demokratike. Ajo u fry papritur në një miting të improvizuar 60 e ca kilometra përtej vendit ku ishte planifikuar të bëhej dhe 60 e ca orë më parë se ishte caktuar të kryhej. Domethënë jo në Kavajë dhe jo të dielën duke nisur nga ora 11.00.
Të premten mbasdite, vendimi i beftë i Ramës, në një nga aktet politike më cinike dhe më të përgjegjshme që ai ka marrë ndonjëherë, e zuri në befasi opozitën. Dhe, në këto kohë dramatike, e vendosi pa mëshirë atë në një pozicion tërësisht qesharak. Jo vetëm e rrahu dhe nuk i la kohë as të qante, por i mbushi mendjen edhe që të ndjehej fitimtare.
Kush është zënë me grushta në rrugicat e lagjeve e kupton që kjo që ndodhi tani në Tiranë, është histori e vjetër dhe e di mirë shpjegimin e saj. E dinë mirë të gjithë ata fëmijë të djeshëm që janë bërë burra sot; ata që janë rrahur nga më të rriturit dhe kanë rrahur më të vegjëlit. Askush prej tyre nuk e ka harruar ligjin e “xhunglës urbane” në Tiranën komuniste të dikurshme. E kujtojnë në Tiranë, por me siguri kështu ka qenë në çdo cep të Shqipërisë, e ndoshta në çdo cep të botës. Ata dinin një nga rregullat themelore të ndeshjes pa rregulla në rrugë: kur matesh të godasësh me të gjithë fuqinë kundërshtarin, fillimisht duhet të sigurohesh që grushti të godasë në shënjestër. Sepse nëse kundërshtari shmanget dhe grushti del huq, janë të gjitha shanset që ta pësojë sulmuesi arrogant. Ai do të bjerë në tokë për shkak të inercisë së tij vetë dhe të pakontrolluar. Kur ndodhte dje mes fëmijëve quhej fizikë elementare. Me konsensus, i rrëzuari quhej i humbur dhe qeshej nga të gjithë. Më shumë se dhembja e humbjes, nuk humbiste kurrë në kujtesë dhembja e turpit.
Sot, kur ndodh në botën e të rriturve seriozë, një gjë e tillë, quhet politikë. Por kohët kanë ndryshuar. Kush bie përtokë nga inercia e grushtit pa shënjestër, nuk qan. Përkundrazi, qesh. Qesh dhe brohoret. Brohoret dhe ndjehet fitimtar. Bindet se ka fituar një raund, por në fakt ka humbur gjithë ndeshjen lokale të programuar në Kavajë.
Kështu ka ndodhur mbasditen e të premtes së parë të majit 2017. Vetëm pak orë përpara se Kavaja të zhytej në heshtjen parazgjedhore, Edi Rama lajmëroi tërheqjen nga votimi. Një tërheqje që konsiderohej e pamundur, por që ishte përmendur vazhdimisht prej më shumë se dy javësh si diçka që do të ndodhte nga studioja e Opinion-it. Edi Rama kreu një akt të mirëfilltë force dhe mençurie që vetëm naivët mund ta konsiderojnë si dobësi dhe vetëm humbësit do ta quanin fitore.
Çfarë ngjau? Prej ditësh PD e kishte konsideruar qytetin antikomunist si vendin ku do të bënte testin e saj të forcës për të mos lejuar zgjedhjet. Pa kandidat të sajin opozita kishte planifikuar me të gjitha mënyrat që planifikohen protestat masive në Shqipëri, një grumbullim gjigant në qytetin e vogël. Projeksione të ndryshme e çonin deri në 30 mijë vetë numrin e qytetarëve shqiptarë që do të vinin nga të gjitha anët në Kavajë. Dhe po 30 mijë lekë kushtonte…., por kjo është histori tjetër që nuk ka të bëjë me të premten.
Një protestë masive në atë qytet do të dukej edhe shumë më shumë. “Do ta çlirojmë Kavajën nga krimi dhe droga”, premtonte Lulzim Basha javën “finale”. Paralajmëronte se do ta bënte me forcë e muskuj atë që e kishte bërë me mend e logjikë me ligjin e dekriminalizimit. “Kryetarin e krimit, përdhunimit dhe të drogës” ai e kisjhte çuar në shtëpi pa vënë në lëvizje as mekanizmin e votës, por duke ushtruar të drejtën e moralit. Dhe si të mos i mjaftonte kjo fitore spektakolare, jo mbi Roshin, por mbi vetë Ramën, ai kishte zgjedhur të qëllonte mbi të edhe mbasi e kishte vrarë njëherë. Duke konsumuar kështu një nga ato gabimet që zakonisht as hasmi më cinik nuk ja uron hasmit më të lig.
Të gjitha parashikimet për të dielën çonin në një pikë. Do të kishte tension, ndeshje dhe ndoshta edhe gjak. Duke ndërlikuar në mënyrë tërësisht të papritur gjithçka dhe duke e ngritur në nivele të frikshme çmimin e rivendosjes së paqes sociale. Lulzim Basha do të bënte në vetë të parë, shpërthimin e parë vetëvrasës në themelet e sistemit. Duke marrë me siguri me vete Fatmir Xhafajn, ministrin e brendshëm dhe duke plagosur rëndë edhe Edi Ramën. Dhe duke ridimensionuar dhe njëherë gjithë çfarë ka ndodhur deri më tani me zgjedhjet.
Ka dy terma që në Evropë i dëgjojnë duke zënë hundët me dorë: bojkot dhe dhunë. Me emrin e Lulzim Bashës bojkti është bërë realitet pothuaj i prekshëm, kurse dhuna ishte një realitet pothuaj i premtuar në Kavajë. Duke shmangur votimin, Edi Rama shmangu dhunën dhe shpëtoi kundërshtarin e tij, por dhe gjthë vendin, nga hyrja përfundimtare në një spirale krize. Duke i veshur Bashës me duart e vetë Bashës fanelën e destabilizuesit dhe duke hekurosur për veten kostumin e faktorit të stabilitetit në vend.
Edi Rama foli për dyzimin e tij si kryetar partie dhe si kryeministër. Me vështrimin cinik të të parit do të vepronte ndryshe, kurse me duart e vetëpërmbajtura të të dytit, do të mendohej dy herë për ta vënë përfundimisht opozitën nën presionin që ushtrohet në segmentin “bojkot-dhunë”.
Në vend ta falenderonte në heshtje për këtë akt, Basha i ra me zhurmë daulleve të fitores. Të shtunën në mëngjez, kur të zgjohet nga gjumi do të kuptojë se ra në kurthin e një prej lëvizjeve klasike që bëhen në sherret e rrugëve. U mat të godiste me gjithë forcën. Kundërshtari ju shmang. Ai ra përtokë për shkak të inercisë. Dhe pa kuptuar ende çfarë kishte ngjarë, brohori fitore.
Me siguri pothuaj matematike Lulzim Basha ka qenë një nga ata fëmijët shëmbullorë që nuk merrte kurrë pjesë në sherre rruge. Gjithashtu edhe Doktor Berisha, burri i mençur që po sheh murin ku do të përplasen të gjithë, por nuk tenton të frenojë askënd sepse do që pas tij të bëhet qameti, me të njëjtën siguri nuk është zënë në fëmijërinë e tij. Kjo është arsyeja që Doktori e quajti rrëzimin e Bashës si fitore. Edhe Ben Blushi gaboi kur e quajti frikë të Ramës aktin e tërheqjes. Nuk dihet nëse Rama e ka bërë një gjë të tillë. Ai ka qenë gjithmonë shumë i gjatë për të qenë target i më të rriturve dhe me gjasë, ka qenë shumë i ngathët për të përdorur grushtat ndaj të tjerëve. Ky ndoshta është një nga shpjegimet për mahninë e tij edhe në këtë moshë ndaj të fortëve, të cilët, sa hërë ka ndeshje, i pemtojnë se ja … robt’ më të bukurit!
Kësaj rradhe Rama triumfoi në një raund ndeshjeje, në pritje të gongut të raundit final. Ai u tërhoq nga një palë zgjedhje lokale që nuk i vlenin për asgjë për të mohuar çdo tërheqje tjetër deri në 18 qershor. Më saktë, për të ngritur dhe më tej stekën e qëndresës së tij. por deri atëherë do të rrjedhë shumë ujë sërish. Deri në javën e tretë të qershorit kryeministri i vendit dhe jo kryetari i PS-së, duhet të kujtojë rrëzimin e trishtuar të kësaj dite të Lulzim Bashës. Si një mënyrë për t’i dhënë aksionit të tij politik më shumë qetësi, siç do ta këshillonte Ilir Meta, për shembull, dhe për të mos tentuar goditjen me të gjithë forcën të kundërshtarit. Sepse pikërisht atëherë janë të gjitha gjasat, që historia të përsëritet sërish. Që numrat e kutive të votimit të bëhen viagra për festën e nesërme të së majtës dhe që duke brohoritur për fitoren, në thelb të ketë vizatuar humbjen më të trishtë të karrierës së tij./JavaNews
Le te gezojne qente dhe bushtrat e PeDe-s. Do e hane ne kohen e duhur!
Populli do ua tregoje vendin mbeturinave serbo-komuniste te Salih Karaxhiçit!