Kreu i Kuvendit Ilir Meta, president i zgjedhur i vendit, dhe tashmë një anëtar në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim deri më 23 korrik, ndihet falënderues ndaj çdo anëtari e simpatizanti të kësaj force politike që ai drejtoi dhe që tashmë ja ka lënë ‘timonin’ Petrit Vasilit.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Meta falënderon delegatët e konventës kombëtarë të LSI-së prej nga u zgjodh Vasili kryetar dhe Monika Kryemadhi zv.kryetare. E po ashtu, vlerësim e mirënjohje, Meta shpreh për çdo anëtar, simpatizantë dhe mbështetës të LSI-së .
“Edhe unë si një anëtar i thjeshtë i LSI, deri më 23 korrik do të ndërmarr një tur falënderimi dhe mirënjohje për të shtrënguar dorën me cdo simpatizantë të LSI anembanë vendit, sepse mirënjohja dhe fjala e mbajtur kanë qenë dhe do të jenë dy shtyllat e forta morale të kësaj force politike të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj”, shprehet Meta.
Me kryetarin e ri, Meta beson se LSI do të arrijë rezultatet e ëndërruara prej kohësh.
Ilir Meta u zgjodh presidenti i ri i Republikës, duke hequr dorë kështu nga drejtimi i LSI-së. Ai merr mandatin e kreut të shtetit më 24 korrik, kur përfundon mandati 5-vjecar i Bujar Nishanit. Por deri më 23 korrik, Meta do të jetë anëtar i LSI-së, për të hequr më tej plotësisht dorë nga kjo forcë politike drejt angazhimit për të qenë në krye të shtetit.
Mesazhi i plote i falenderimit
“Dua sot të falënderoj përzemërsisht të gjithë delegatët e Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim për mirënjohjen dhe respektin që ata treguan ndaj kontributit tim, që nga themelimi i kësja force politike e deri në këtë Konventë kur u shkëputa nga drejtimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por në mënyrë të veçantë dua t’i falënderoj për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe unanime që i dhanë zgjedhjes së Kryetarit të ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasilit, me të cilin jam i bindur që LSI-ja do të arrijë ato rezultate që ne kemi ëndërruar prej kohësh së bashku.
Një falënderim i jashtëzakonshëm u shkon atyre mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së që për orë të tëra pritën përpara Pallatit ët Sportit për të shprehur mbështetjen solidaritetin dhe përkrahjen e tyre për LSI-në dhe për të gjitha vendimet që ajo do të marrë në të ardhmen.
Ndaj sot dua njëkohësisht që t’u bëj të ditur që tashmë edhe unë si një anëtar i thjeshtë i LSI-së deri në datën 23 korrik do të ndërmarr një tur falënderimi dhe mirënjohjeje për të shtrënguar dorën me çdo anëtar dhe simpatizant të LSI-së anembanë vendit.
Sepse mirënjohja dhe fjala e mbajtur kanë qenë dhe besoj do të jenë dy shtyllat më të forta morale të kësaj force politike, të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj”