Ndërsa ka frilluar numëri mbrapsht për zgjedhjet e 18 qershorit 2017 Presidenti i Republikës Bujar Nishani në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, thërriti në detyrë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, i cili do të ushtrojë funksionet gjatë procesit zgjedhor në vend.
Në këtë takim, Presidenti i Republikës pasi theksoi rëndësinë që ka çdo proces zgjedhor, vlerësoi edhe një herë, se sa e nevojshme dhe e domosdoshme, është ushtrimi i veprimtarisë së Kolegjit Zgjedhor për të trajtuar me korrektësi të gjitha konfliktet që do të paraqiten para tij nga subjektet e ndryshme, deri në përfundim të gjykimit të gjithë ankimeve lidhur me procesin zgjedhor.
Trupa gjyqësore përbërëse e Kolegjit Zgjedhor, sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, ka eksperiencë të gjatë në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore, dhe, sipas saj, “do të jetë në lartësinë e duhur për të garantuar përmbushjen me shumë sukses të detyrës dhe misionit për të cilin ky Kolegj do të funksionojë”.
Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht, Kryetari i Këshillit te Lartë të Drejtësisë shprehu besimin dhe kërkoi nga Kolegji Zgjedhor, që të qëndrojë me bindje të plotë, vetëm Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës, në respekt të të drejtave dhe lirive të njeriut, çka do të sjellë drejtësi dhe paanësi në kryerjen e detyrës.
ma.me/ javanews.al