Partia Social Demokrate e Skënder Gjinushit do të ketë tre deputetë të majtë në krye të listave të saj. Ish-deputeti socialist Tom Doshi do të kryesojë listën e PSD-së në qarkun e Shkodrës Doshi ka kohë që bën fushatë në këtë qark, madje prezenca e tij në garë i bën shumë interesante zgjedhjet.
Në krye të listës së PS-së është ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në krye të listës së LSI-së është deputeti Agron Çela, ndërsa i pari i listës së PDIU-së është një sipërmarrës i njohur, shkodrani Sait Fishta.
Duket se aleati tradicional i Partisë Socialiste ka mundur të bindë edhe një socialist që të kandidojë me siglën e tij. Mjeku Ylli Ziçishti, deputeti socialist i qarkut të Korçës, do të jetë i pari i listës së PSD-së në qarkun e Gjirokastrës. Ziçishti ishte një nga deputetët që mbeti jashtë listës së rikandidimit të Partisë Socialiste. Ziçishti, të cilin të gjithë deputetët e Kuvendit e thërrasin “doktor”, duket se ka mbështetje në këtë qark.
Por, edhe pse me tre deputetë në listat e saj, PSD-ja nuk u regjistrua në zgjedhje si parti parlamentare. Kreu i saj, Skënder Gjinushi, ka arritur të mbledhë mbi 9600 firma të votuesve të saj, siç e kërkon Kodi Zgjedhor për partitë që garojnë më vete në zgjedhjet parlamentare.
Pak ditë më parë, gjatë një interviste në “News 24”, kreu i PSD-së konfirmoi kandidaturën e Tom Doshit në krye të listës së qarkut të Shkodrës për partinë që ai drejton. Ai dha edhe arsyet se përse e kishte përfshirë në listat e PSDsë një ish-deputet socialist në krye të qarkut të Shkodrës.
“Po, ai është kapolista, është i pari në listën e Shkodrës, kandidaturë më të mirë s’mund të gjenim. Ka treguar që ka mbështetje, di t’ua rikthejë mandatin që ka marrë nga njerëzit. E vë në shërbim të njerëzve. Është nga figurat më të pranuara elektoralisht dhe i ka qëndruar besnik mandatit të majtë më shumë se disa të majtë tradicionalë. Nuk ka lëvizur si disa sa nga e djathta, në qendër, e pastaj majtas”, u shpreh Gjinushi./panorama/b.d