Nga Lorenc Vangjeli/
Shtatëdhjetë e kusur vite më pas, në krejt të tjera rrethana dhe për krejt të tjera motive, presidenti amerikane dhe presidenti rus, kanë folur në telefon. Siç thuhet në gjuhën diplomatike që shpjegon bisedën mes dy njerëzve më të fuqishëm të botës, ata ndanë shqetësimin e tyre të madh për situatën në Siri dhe ranë dakort që të gjithë të bëjnë të pamundurën për t’i dhënë fund dhunës. Po ashtu, Trump dhe Putin, ranë dakort që të shohin mundësinë që të takohen për herë të parë me njëri-tjetrin në korrik.
Emri i vendit të takimit është i njëjtë si në 1945, por rrethanat janë tërësisht të ndryshme dhe Gjermania vetë, demokracia dhe ekonomia më e madhe e Evropës është krejtësisht dhe totalisht tërësisht e ndryshme nga Gjermania e dikurshme.
Ka shumë kohë që gjermanët janë të interesuar për çfarë ndodh në Shqipëri. Me prirjen dhe bindjen se vlen më shumë të parandalosh se të kurosh e të shërosh. Për aq vlerë dhe vëmendje që meriton Shqiëpria e vogël ballkanike përballë një fuqie të madhe, vëmendja ngjan maksimale. Gjermanët e flamurit të Evropës po përpiqen të pajtojnë dy skaje që duket se po tërhiqen edhe më tej në skajet politike në vend. PS e PD ngjajnë si dy forca përjashtimisht armiqësore që janë gati të shpallin luftën finale me njëra-tjetrë. Janë aq të huaja ndaj njëra-tjetrës sa dhe Presidenti Nishani në tryezën e bisedimeve, dukej si përkthyesi që kthente në shqip për Bashën çfarë dëgjonte nga Rama dhe po në shqip, përkthente për Edin çfarë dëgjonte nga Luli.
Duke krahasuar të mërkurën e parë të këtij maji tiranas me majin berlinez të 45-ës dhe me gjithë çfarë rrodhi më pas, optimistët duhet të hedhin vallë në Tiranë.
Duke pritur se çfarë do të ndodhë në korrik mes Trumpit dhe Putinit në Gjermani, zërat e logjikshëm kanë një shans më shumë që të besojnë se gjithmonë ka vend dhe hapësirë për të diskutuar, për të folur dhe për të gjetur zgjidhje me fjalë edhe aty ku armët ose kanë dështuar të japin zgjidhje, ose kanë sjellë vetëm vuajtje si pjesë të zgjidhjeve të munguara.
Por duke krahasuar përmasat e halleve, atë berlinezin e dikurshëm dhe hallin e sotëm lokal në Tiranë, pesimistët duhet të venë kujën.
Edhe Rama si kryeministër i Shqipërisë, edhe Basha si kryetar i opozitës, edhe çdo shqiptar tjetër, as kanë dhe as kanë për të pasur kurrë një valixhe bërthamore.
As nuk do t’u duhet të drejtojnë 200 a 300 milionë shpirtëra.
As nuk do të arrijnë që votuesit e tyre të kenë nja 100 e ca mijë dollarë të ardhura për frymë në vit.
Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend i vogël dhe modest, në një rajon modest si Ballkani që zakonisht mburret me të shkuarën dhe vetëm qahet për të sotmen dhe të ardhmen.
Negociatat e para të majit për zgjedhjet e qershorit dështuan.
Rama postoi më pas në FB lajmin se ndeshja mes Juventusit dhe Monacos do të mund të shihet nga oborri i kryeministrisë.
Basha foli me Doktor Berishën dhe më pas edhe me aleatët e tij.
Meta, i larguar nga kjo histori, e ka mendjen tek një aktivitet të partisë së tij.
Ambasadorët e huaj vazhdojnë të bisedojnë me njëri-tjetrin në përpjekje për të kuptuar diçka nga rebusi i Tiranës dhe raporti mes stabilitetit dhe demokracisë.
Për pesimistët, edhe ligjërisht nuk ka më kohë për asgjë dhe përpara janë gjithë pikpyetjet e të nesërmes.
Për optimistët, njëlloj si në kohën e luftës së ftohtë, linja e kuqe e telefonit është ende në gatishmëri dhe zilja mund të bjerë në çdo moment..
Presidenti Nishani, ish-ushataraku i thirrur për herë të fundit nën armë për të shuar luftën PS-PD ka shpresë sepse sipas tij, ai po vazhdon kontaktet me palët.
Kavaja, qyteti ku pritet të bëhet testi “bërthamor” politik në Shqipëri, është mbas derës. Por deri tani, të gjithë vetëm kanë luajtur derën duke lënë pas dere krizën që i pret të gjithë.