Mesfushori italian, Marco Verratti, dhe Paris Saint-Germain mund të ndahen në fund të këtij sezoni.
Dështimi i skuadrës nga Parisi në Ligën e Kampionëve dhe humbja e fundit nga Nice (3:1), i cila pritet t’i kushtojë me humbje të titullit në Francë, ka lëkundur Verrattin.
Menaxheri i lojtarit, Donato Di Campli ka paralajmëruar bisedime me drejtuesit e Paris Saint-Germain për të vendosur për të ardhmen e mesfushorit italian.
“Nuk më pëlqen të them asgjë. Shumë gjëra të gabuara janë thënë dhe dua ta mbaj situatën të qetë, pasi PSG nuk është në momentet më të mira”, ka deklaruar ai Premium Sport.
“Do të kërkojmë një takim me klubin për të diskutuar të ardhmen e Marcos. Klubi ka thënë se Marco nuk do të largohet kështu që ne duhet të respektojmë vullnetin e klubit. Por, ne do të bisedojmë pas finales së Kupës së Francës”, ka thekuar ai.
Kurse, sipas Calciomercato.com, Juventusi është i gatshëm t’i ofrojë Paris Saint-Germain 80 milionë euro për ish-anëtarin e Pescaras.
Por, Juve nuk do ta ketë të lehtë ta transferojë lojtarin pasi për të janë të interesuara edhe skuadrat si: Real Madrid, Barcelona, Inter, Manchester United e City./a.m.