Pas informacioneve të fundit të raportuara në media dhe pas të dhënave zyrtare në lidhje me qëndrimet e Bashkimit Europian dhe Partive Popullore Europiane, CityNews ka kontaktuar ditën e sotme me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristanin për të marrë më shumë informacion, si burim zyrtar dhe i sigurt brenda PD-së, në lidhje me këtë presion që po ushtrojnë institucionet ndërkombëtare ndaj Lulzim Bashës.
Por deputeti Arben Ristani, nën avujt e alkoolit, fillimisht tha se nuk është aspak në dijeni të këtyre qëndrimeve dhe se ndodhet në Kavajë. Pas këmbënguljes që CityNews bëri, për të marrë akoma më shumë informacion, duke i cituar edhe njëherë Sekretarit të Përgjithshëm të PD gjithçka që ka të bëjë me presionin, që po i ushtrohet Lulzim Bashës, dhe negociatat, që ai po bën me ndërkombëtaret, si përgjigje deputeti Ristani ka thënë:
“Nuk më plas t***i se çfarë shkruani. Unë jam në Kavajë, nuk e di ç’thonë mediat. Unë s’e rruaj për njeri”.
Ndoshta deputeti Ristani ka qenë i dehur, siç na ka ndodhur ta shohim jo rrallë herë, ndoshta ka qenë i lodhur, ndoshta është në Kavajë dhe s’ka faj. Gjithsesi pavarësisht kësaj sjelljeje, CityNews sjell të vërtetën ashtu siç është dhënë nga Ristani. Sjellje kjo që nuk rezulton të jetë e para, që Arben Ristani ka bërë me gazetarët, jashtë çdo lloj konteksti politik apo etik dhe në padijeni të plotë të situatës politike në vend.
Edhe pse ndodhet në një pozicion të lartë brenda Partisë Demokratike, Arben Ristani, bashkë me qëndrimet e tij mediatike, po kthehet në qesharak për shkak të padijes politike.
CityNews zotëron të gjithë bisedën telefonike të zhvilluar pak më parë me deputetin Ristani, por për arsye etike, por edhe për të mos dëmtuar demokratët, kjo bisedë do t’i përcillet e plotë vetëm kryetarit të PD, Lulzim Bashës.
Ndërkohë, nga ana tjetër, ftojmë Arben Ristanin që përveçse të rrëkëllejë gota rakie në Kavajë, si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të informohet pak më shumë në lidhje me aktualitetin politik në vend, sidomos në këtë situatë ku ndodhet sot Shqipëria dhe PD-ja. Sharlatanizmi i deputetit Ristani me gazetarët sot nuk pi ujë…/CityNews