Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha 7 maji do të jetë data e atakut kardiak të republikës së vjetër.
Në fjalimin e mbajtur në çadër, ku të pranishëm ishin qytetarë nga Kavaja, Basha tha se në 7 maj në Kavajë nuk do të preket asnjë lule, qytetarët do të protestojnë paqësisht, por nuk do të ketë zgjedhje fasadë.
Me tëj gjatë fjalës së tij kryedemokrati tha se të dielën e ardhshme do ti jepet grushti vdekjeprurës Republikës së Vjetër.
Ndërsa duke folur për zgjedhjet e 18 qershorit Basha tha se 19 qershor asnjë qytetar nuk duhet të paguajë asnjë taksë dhe nuk do ti bindet asnjë ligji të republikës së vjetër.
“Data 7 maj do të jetë data e atakut kardiak të republikës së vjetër. Në 7 maj në Kavajën e fisnikërisë dhe burrave e grave trima që u ngritën të parët, askush nuk e harron, të parët kundër diktaturës më mizore, regjimi i republikës së vjetër do festojë rrëzimin e pluralizmit. Në 7 maj Kavaja nuk do të jetë vetëm. E gjithë Shqipëria do të jetë në Kavajë dhe me Kavajën. Të bashkuar do ti japim grushtin vdekjeprurës republikës së vjetër. Qindra mijëra shqiptarë të ndershëm që do bashkohen në Kavajë në 7 maj, në një bashkim gjigand dhe të paparë në 27 vite pluralizëm, së bashku me mijëra banorë të Kavajës do të pamundësojmë zgjedhjet farsë. Në 7 maj do ti japim republikës së vjetër goditjen finale. Asnjë lule nuk do prekim në Kavajë. Por asnjë qytetar i vetëm i Kavajës nuk do detyrohet nga krimi dhe droga në një proces fasadë. Proces të tillë nuk do ketë as në Kavajë dhe as në 18 qershor në Shqipëri.
Në 19 qershor asnjë qytetar nuk duhet të paguajë asnjë taksë dhe nuk do ti bindet asnjë ligji të republikës së vjetër. Bashkë me qytetarët e lirë ne do ta shfrytëzojmë këtë kohë për të nisur krijimin e korpusit institucional, bazuar në parimet themeluese të SHBA që do të jenë kushtetuta dhe ligjet e vetme për qytetarët e Republikës së Re”– tha Basha.
c.a