Nga Skënder Minxhozi/
Shqipëria ka tashmë presidentin e tetë të saj të erës së pluralizmit politik. Pas Sali Berishës (dy mandate), Rexhep Meidanit, Alfred Moisiut, Bamir Topit dhe Bujar Nishanit, Ilir Meta ulet në postin e kreut të shtetit, duke lënë pas 13 vjetësh, pozicionin e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vendimi i Metës shënon jo vetëm një thyerje madhore në karrierën e gjatë të këtij ish-socialisti të orëve të para, por edhe një risi me peshë në dinamikën e krizës aktuale politike, si dhe një akt të paprecedent për jetën e LSI, si një forcë politike e themeluar nga vetë Ilir Meta.
Në fakt ka shumë kuriozitet të shihet sesi do ta afektojë krizën politike të kësaj pranvere, kalimi i Metës drejt Presidencës. Më së pari, një zgjedhje e tillë do t’i jepte fund dilemës për kreun e shtetit. Ka pasur shumë hamendje sesa dhe sesi do të përdoret nga palët poltroni i presidentit, për të zgjidhur lëmshin e ngatërruar të krizës elektorale dhe të bllokimit të sistemit nga ana e opozitës. Ilir Meta ka pasur qysh në krye të herës dy rrugë: t’i drejtohej institucionit të kreut të shtetit, duke u rreshtuar në favor të zgjidhjes institucionale, apo të bënte kauzë të përbashkët me opozitën, duke ju drejtuar protestës së rrugës. Mes institucioneve dhe rrugës, Meta lëshoi mesazhin se zgjodhi të parën.
Së dyti, zgjedhja e presidentit të ri fut në një hulli të përcaktuar edhe problemin e zgjedhjeve të 18 qershorit. Në rast se i përmbahemi logjikës së gjestit të sotëm të Metës, LSI do të hynte në zgjedhje edhe pa opozitën, duke dhënë një tjetër mesazh të fortë ndaj Çadrës së opozitës, për vendndodhjen e saj në skakierën e madhe të krizës.
Së treti, Ilir Meta president është një zgjedhje kompromisi edhe në parim. Pas 26 vjetësh nuk do të kemi në presidencë një demokrat dhe as një socialist, por një përfaqësues të një pale të tretë. Ilir Meta pritet të ruajë profilin e njeriut të ndërmjetësimeve dhe kompromisit, sidomos tani që po bëhet gati të ulet në një post i cili ka si Yll Polar pikërisht kërkimin e pikave të takimit në skenën politike.
Me Metën e majta zgjedh presidentin e dytë të saj në dy dekada e gjysëm. Përveç Rexhep Meidanit, të gjithë krerët e shtetit kanë qenë të propozuar ose të zgjedhur nga e djathta.
Tashmë kriza politike shqiptare ka një vektor më pak. Zgjedhja e presidentit kërkonte pikërisht të jepte mesazhin se shteti dhe institucionet duhet të respektohen dhe të respektojnë edhe ato vetë detyrimet kushtetuese, të cilat mbajnë në këmbë të gjithë sistemin.
Me presidentin e ri Meta kriza është pak më lehtë, por ende larg së qeni e zgjidhur. Re të rënduara vazhdojnë të vërtiten në horizontin e politikës, duke nisur nga 7 maji i Kavajës. Dhe s’duhet harruar se presidenti i ri nuk do të ketë mundësi të ulet në poltronin e kreut të shtetit para datës 24 korrik. Një datë e largët për afatet e krizes shqiptare.