Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në një aktivitet për arsimin profesional. Gjatë fjalës së mbajtur ai vuri theksin edhe njëherë te zhbllokimi i Vettingut, kur tha se pa drejtësi nuk mund të pretendojmë për investimet e huaja.
“Po nuk bëm një sistem drejtësie që të jetë i besueshëm ne nuk mund të rrisim, aq sa na duhet, lumin e investimeve të huaja. Për arsye se investitorët e huaj kanë arsye për ta parë Shqipërinë si vend të mudnësive por kanë një arsye për ta pasur frikë, që ndërkohë që vijnë ëpr të investuar u del përpara një Gjon, një Hysen, një Tomë dhe u thotë stop se jam unë këtu. Ne jemi të vendosur të zhblokojmë vettingun”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se papunësia rinore është kriza më e madhe sistemike e vendit në çerek shekulli. Ai tha se ky problem është i lidhur ngushtë me mungesën e profesionistëve. Rama deklaroi se zgjidhja për ta zbutur fenomenin e papunësisë është zhvillimi i arsimit profesional.
“Kriza më e rëndë ndër gjithë gamën e krizave që ne trashëguam, është kriza e papunësisë rinore dhe adresimi më i rëndësishëm i gjithë spektrit politikave tona të reja është pikërisht adresimi i kësaj krize. Bëhet fjalë për një krizë sistemike, të thelluar në 25 vjet, duke e zhveshur praktikisht Shqipërinë nga aftësia për një gamë të gjerë punësh. Dhe vetëm pak vite më parë, dhoma gjermane e tregtisë, e përshkruante më së miri pasojën më të mirë të kësaj krize. Në një raport ku thuhej, Shqipërisë i mungojnë punëtorë të kualifikuar, në industrinë ushqimore, në ndërtim, në industritë elektromekanike, i mungojnë saldatorë, elektriçistë, minatorë, specialistë ashensorësh, rrobaqepës…
Shqipërisë 3 vite e gjysmë më parë i mungonin punëtorët e kualifikuar në çdo zanat, ama sot Shqipëria ka 8-fish juristë më shumë se Gjermania, dhe nuk mund të themi se ka një sistem gjyqësor të krahasueshëm me Gjermaninë, përkundrazi. 3 vite e gjysmë më parë, pjesa dërrmuese e kompanive thonin se për pozicione të caktuara çonin jashtë vendit punëtorë për kualifikim”, tha Rama./a.m.