Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendosi të rihapë sot procedurën kundrejt Turqisë për shkak të situatës së shtetit të së drejtës në vend, që ka shënuar hapa pas, akt i pazakontë për një shtet anëtar të institucionit panevropian.
Turqia ka qenë edhe më parë objekt i kësaj procedure nga viti 1996 deri në 2004.
Nëpërmjet një rezolute të miratuar nga 113 vota pro, 45 kundër dhe 12 abstenime APCE që mbledh së bashku parlamentarë nga 47 shtete anëtare të Këshillit të Evropës, mori vendim për të rihapur këtë procedurë deri sa shqetësimet e saj të merren në konsideratë në mënyrë të kënaqshme.
Asambleja sqaroi se mbetet në pritje që autoritetet turke të heqin gjendjen e jashtëzakonshme sa më shpejt që të jetë e mundur, lirimin e të gjithë parlamentarëve dhe gazetarëve të ndaluar në paraburgim në pritje të procesit të tyre gjyqësor duke siguruar që proceset gjyqësore të përmbushin garancitë e një procedure të rregullt si dhe marrjen në mënyrë urgjente të masave për garantimin e lirisë së shprehjes dhe medias.