Kryeministri Rama i ka mbyllur përfundimisht rrugën PD për qeveri teknike. Rama është shprehur edhe një herë i vendosur se zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 18 qershor dhe se nuk do t’i lërë pushtetin PD-së në tavolinë. Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë që votojnë për herë të parë në Vlorë, Rama theksoi se ndërsa PD bllokon rrugët, qeveria kërkon të hapë njëherë e përgjithmonë rrugët e së ardhmes. Me apo pa opozitën, Rama deklaroi se më 18 qershor PS do të fitojë zgjedhjet.
“PD bllokon rrugët ndërsa ne duam të hapim njëherë e përgjithmonë rrugët e së ardhmes. Të bëjnë ç’të duan por fuqine e dashurisë tonë dhe betejën tonë për Shqipërinë që duam nuk ka forcë që e zbraz. Në 18 qershor, si me ata, si pa ata, ne do të votojmë dhe do të fitojmë”, tha Rama.
Rama u kërkoi të rinjve që votojnë për herë të parë të votojnë për PS duke u bërë dhe një kërkesë që të marrin në PS edhe ata që deri dje kanë votuar për PD. Kreu i qeverisë theksoi se më 18 qershor, do të shembet muri i padrejtësisë
“Nuk do të ndërtojmë kurrë Shqipërinë evropiane nëse së bashku në 18 qershor nuk shembim murin e padrejtësisë, murin që gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar të lidhur si mishi me thoin me politikanët e ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë kanë ngritur atë mur, ne do ta shembim, ne do t’i marrim përpara me votë më shumë se kurrë për PS-në të gjithë ata që duan të na kthejnë mbrapa. Më 18 Qershor duhet të sillni që të votoje çdo te afërm, shok tek lagji, shok klase apo edhe ata që kanë votuar për PD, merreni dhe silleni te PS te partia e përbashkët e të gjithëve atyre që e duan Shqipërime.”, tha Rama
Kreu i qeverisë premtoi ndërtimin e një aeroporti në Vlorë, për shndërrimin e saj në një prej pikave turistike më të vizituara të mesdheut.
“Ne do të ndërtojmë një aeroport për Vlorën. Kjo do t’u mundësojë banorëve të Jugut që të mos shkojnë deri në Tiranë për të marrë avionin. kjo është realitet po aq sa është policia që duam, sa është realitet transforimi në arsimin profesional, 130 mijë godina të legalizuara, nga të cilat 93 mijë janë shtëpi të njerëzve, të ndërtuara me kursime te emigracionit“, tha Rama.
Mitingu i Ramës vjen pas tubimit një orësh të opozitës në mesditë ku bllokuan disa prej akseve kryesore rrugore në vend. /javanews.al
c.a