Protesta e sotme është një gafë dhe një “vetëvrasje” publike për opozitën. Bllokimi i rrugëve do t’i krijojë Partisë Demokratike efektin e kundërt, sepse do t’ju bllokojë njerëzve pa dëshirën, vullnetin dhe aprovimin e tyre aktivitetin normal. Kjo formë proteste ka një specifikë kur ndodh dhe duhet bërë. Nëse njerëzit janë të dëshpëruar dhe kundër qeverisjes, nuk do të prisnin thirrjen e Lulzim Bashës, por do të dilnin vetë edhe në sheshe edhe do të bllokonin rrugët.
Dhe njerëzit vërtetë mund të jenë të mërzitur, ose të zhgënjyer sikurse ndodh me konsumimin e çdo qeverisjeje dhe mëkateve që ato kanë e bëjnë në pushtet, por dukja tregon se nuk janë në atë sasi sa për t’u derdhur shesheve dhe në fakt për ta provuar këtë matësi më i mirë janë zgjedhjet, jo sheshet me militantë. Edhe nëse janë të mërzitur, njerëzit nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë për të sjellë në pushtet një forcë politike dhe individë të provuar se nuk vjedhim me trafik droge, por vjedhin me tendera, se nuk vjedhin me skemën “Partneritet Publik/Privat, por vjedhin duke iu vënë gjobë biznesmenëve të mëdhenj 20% të shumës që duhej të merrnin si rimbushin TVSH-je e që se merrnin dot pa paguar haraçin të “bosët e pushtetit” të djeshëm që sot në opozitë janë të buzëqeshur financiarisht e pushojnë plazheve të botës e hapin dyqane në bllok me paratë e gjobave.
Pra shqiptarët nuk kanë motiv të qenësishëm sado të stisur politikisht, të vetsakrefikohen për të ndryshuar xhepat e hajdutëve, mashtruesve dhe hipokritëve politikë. Ndaj protesta e sotme do të jetë një bumerang në vetvete për opozitën edhe pse do të amplifikohet si sukses. Në vend që të fitojë më shumë mbështetje publike me këtë akt, opozita do të humbë më shumë kuota dhe besueshmëri elektorale dhe kjo nuk është mirë për Shqipërinë e shqiptarët. Opozita është një valvul sigurie përballë pushtetit dhe përballë këtij pushteti të sotëm një opozitë e fortë, reale dhe e përbërë nga individë me kredite të pastra morale dhe politike është e domosdoshme.
Ditën kur shqiptarët do shohin se opozita do të reflektojë këto vlera individësh, pushteti i Edi Ramës ka rënë. Ndaj Partia Demokratike duhet të punojë për të kthyer besimin te njerëzit natyrshëm duke u vetpastruar dhe jo duke u imponuar përmes militantësh të dëshpëruar. Mua më mungon opozita që dua!