Partia Demokratike shprehu rezerva të forta për emërimin e Fatmir Xhafajt ministër i Brendshëm, duke shkuar deri aty sa paralajmëruan se ai s’do shkelë në derën e kësaj ministre.
Por, një muaj pas emërimit të Xhafajt në një prej dikastereve më të rëndësishme në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar, opozita duket se e është e kënaqur me punën e tij.
Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e Report Tv u shpreh se është për t’u vlerësuar puna e Policisë së Shtetit ditët e fundit, ku janë sekuestruar dhjetëra ton drogë.
Sipas tij, intensifikimi i aksioneve kundër kanabisit erdhi pas largimit të Saimir Tahirit nga ministër i Brendshëm, detyrë e cila i pasoi Fatmir Xhafajt.
“E keni parë që prej largimit të Tahirit, që ka qenë padyshim një sukses i çadrës së ngritur para Kryeministrisë, kemi një sasi rekord kanabisi të sekuestruara në të gjithë Shqipërinë. Janë më shumë se 30 ton që janë sekuestruar në qytete të ndryshime të vendit. Edhe sot e kemi nisur ditën me sekuestrimin e disa kg droge në Tiranë. Çdo ditë shohim jo vetëm kanabis të sekuestruara nëpër depo, shtëpi, magazina, por edhe laboratorë modernë të kultivimit të kanabisit në shtëpi, vila 3 katëshe, në Tiranë, në qytete të ndryshime të vendit dhe kjo është një damkë e keqe që i është vendosur Shqipërisë nga keqqeverisja e kësaj mazhorance në këto 3 vite e gjysmë. Përgëzoj punën e Policisë në këtë një muaj për sekuestrimin dhe parandalimin e lëndëve narkotike. Në vetëm një muaj janë sekuestruar rreth 30 ton kanabis“, u shpreh Këlliçi.
Sa i takon protestës së nesërme ku për një orë do të bllokohet trafiku, Këlliçi tha se do të jetë paqësore. Sipas tij, bllokimi i trafikut do të jetë për vetëm 60 minuta, ndërsa në rastet e urgjencave do të krijohen lehtësira për kalimin e autoambulancave.
“Nuk ka asnjë skenar dhune. Refuzoni ata që thonë se do të ketë dhunë. Protesta do të jetë paqësore ku trafiku do të bllokohet për një orë. Do të lejojmë lëvizjen e autoambulancave”, tha Këlliçi.
c.a