Ish lojtari i Ekipit Kombëtar të Basketbollit, Mjeshtri i Merituar i Sportit, Gazmend Çaçi, ka marrë titullin “Qytetar Nderi” i Përmetit. Titulli iu dorëzua mjeshtrit të këtij sporti në një ceremoni mjaft të veçantë, të zhvilluar pikërisht në Pallatin e Sportit të qytetit ku lindi ikona e basketbollit shqiptar, në prani të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Titulli sportistit të shquar iu dorëzua për meritat e tij të jashtëzakonshme në sportin e basketbollit, jo vetëm brenda, por dhe jashtë vendit.
Kryeministri Rama e quajti një nder shumë të madh, jo vetëm për qytetin e Përmetit, por për mbarë kombin kontributin e Gazmend Çaçit në basketbollin shqiptar, ndërsa vlerësoi edhe figurat e tjera shquara të basketbollit shqiptar ndër vite.
“Nder shumë i madh që sot, në Përmet të jemi bashkë për këtë ceremoni të merituar për Gazin, por besoj dhe Gazi është me fat që kanë ardhur ta shoqërojnë në këtë ceremoni të gjithë këta burra, që i kanë dhënë shumë nder dhe lavdi basketbollit shqiptar në vite të vështira. Jam i bindur që sikur këta të ktheheshin mbrapsht edhe njëherë në atë kohë, vetëm unë do ngelesha këtu në Shqipëri, të gjithë do kishin ikur, se do luanin me ekipe të mëdha. Gaz, çdo të mirë dhe Kryetarit të Bashkisë komplimente që bëri gjënë e duhur për Përmetin. Është një nderim i madh, por dhe për ty është nder i madh të jesh “Qytetar i Përmetit,” – u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Vetë ish-rekordmeni, i cili ka fituar plot 20 kampionate, duke shënuar rreth 20 pikë në çdo ndeshje, Gazmend Çaçi tha se ndihet i vlerësuar për këtë titull. “Dua të falenderoj të gjithë këto figura të mëdha të basketbollit shqiptar, të Ekipit Kombëtar dhe të gjithë Shqipërisë.”
Pas ceremonisë, ish basketbollistët më në zë të Shqipërisë, si Vaso Shaka, Bashkim Milo, Qemal Shalsi, Besnik Çela, Edgar Prifti, Artan Huqo e të tjerë emra të mëdhenj të basketbollit shqiptar, të ndarë në dy ekipe kanë zbritur në parket për një ndeshje nostalgjie.