Popullsia e disa prej territoreve franceze përtej oqeanit votoi sot në zgjedhjet presidenciale, një ditë para se Franca të votojë në raundin e parë të zgjedhjeve për presidentin e ri të vendit.
Ndërsa fushate elektorale është mbyllur, sondazhet më të fundit tregojnë se rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve do të jetë tepër i ngushtë.
Dy kandidatët me përqindjen më të lartë të votave do të përballen në një raund të dytë më 7 maj.
Pothuajse në të gjitha sondazhet, centristi Emmanuel Macron kryeson lehtë ndaj kandidates nacionaliste të ekstremit të djathtë Marine Le Pen, e ndjekur nga konservatori Francois Fillon dhe majtisti radikal Jean-Luc Melenchon.
Le Pen, e cila synon të largojë Francën nga zona euro dhe të zhvillojë një referendum për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian, shpreson të sigurojë një fitore të befasishme si ajo e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, apo si votimi i britanikëve për daljen nga blloku evropian.
Sipas sondazheve të realizuara në ditët e fundit të fushatës zgjedhore, katër kandidatët kryesorë ndahen nga njëri-tjetri me një diferencë të ngushtë prej afro gjashtë pikë përqindjeje.
Qendrat e para të votimit u hapën sot në territorin e vogël të Saint-Pierre-et-Miquelon në lindje të brigjeve të Kanadasë. Ky territor përbëhet nga dy ishuj me popullsi pak më shumë se 6,000 banorë.
Territoret franceze në Amerikën Jugore dhe Karaibe, që përfshijnë Guiana dhe rajonin Martinique, si the Polinezinë Franceze, votuan gjithashtu sot.
Fushata zgjedhore përfundoi zyrtarisht mesnatën e së premtes, por në ditën e fundit të saj kandidatët vendosën të anulonin një pjesë të mirë të aktiviteteve të tyre pas vrasjes së një polici në Champs-Elysees në Paris./a.m.