Washingtoni i lëshon Maqedonisë një tjetër apel të qartë: autoritetet të formojnë pa vonesë qeverinë e re, në të kundërt do të ketë sanksione, ashtu siç është paralajmëruar dhe më parë.
Qytetarët i kanë zgjedhur përfaqësuesit e Parlamentit në dhjetor dhe ekziston një shumicë e qartë parlamentare, e cila pret të krijojë ekzekutivin, deklaroi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit. SHBA i inkurajon liderët maqedonas të bëjnë gjithçka është e mundur për formimin e qeverisë pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë që vendi të mund të vazhdojë me reformat e nevojshme për t’u bërë anëtar i plotë i familjes euro-atlantike.
“Politikanët, të cilët përpiqen që të bllokojnë formimin e qeverisë, e zhvlerësojnë sundimin e ligjit, proceset demokratike dhe stabilitetin në Maqedoni dhe në rajon”, vlerëson Departamenti i Shtetit. Reagimi i Departamentit mbi krizën politike në Shkup si dhe apeli i drejtpërdrejtë i tij për fundin e zvarritjes së formimit të ekzekutivit, jep shpresë, sipas analistëve vendas, se gjërat do të lëvizin drejt zhbllokimit të ngërçit politik.
Pozicionet e partive janë aq të palëkundura, argumentojnë ata, sa vështirë se do të ndryshojë diçka pa një ndërhyrje të fuqishme të Amerikës dhe Bashkimit Europian. “Deutsche Welle” citon ish-ambasadorin maqedonas në NATO, Nano Ruzhin, të theksojë se porosia e DASH-it në thelb përmban sanksione individuale ndaj aktorëve politikë në Maqedoni, të cilat, sipas tij, do t’i mbështesin edhe shtete tjera të BE-së, përcjell ksp.
“Departamenti Amerikan i Shtetit shpreh qartë qëndrimin se politikanët të cilët bllokojnë formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit mund të ndëshkohen me sanksione individuale. Është ky apel që duhet t’i vërë në lëvizje politikanët vendorë”, shprehet Ruzhin. (b.an)