Gjatë një takimi me gratë në “Akademinë e Arteve”, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi propozon që të mblidhen forumet e grave për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri.
Idrizi u shpreh se para se dikush nga jashtë të vijë për të zgjidhur këtë krizë kjo duhet të lihet në dorën e grave dhe forumeve të tyre.
“Ne propozojmë që ditën e hënë të mblidhen forumet e grave te PS, LSI, PDIU e PD që të zgjidhin krizën. Ky është propozimi i fundit i PDIU. Kemi propozuar pakt Kombëtar për krizën, iu drejtuam presidentit për një tryezë. Është vullneti politik që po na mban në kriza të paarsyeshme. Unë sot e kam një propozim. Para se të presim që dikush të na vijë nga jashtë të na zgjidhë krizën. U propozoj forcave politike që përpara se të na vijnë nga jashtë”-tha ai.
Më tej duke vleresuar rolin e gruas në politikë , Idrizi tha: “Ne u renditëm force e dytë politike në Tropojë e Delvinë, ku kryetaret e PDIU ishin gra. Sa herë gratë dhe vajzat kanë qenë në detyra publike ajo detyrë është realizuar më së miri. Nuk mbaj mend të ketë pasur akuza për korrupsion për ministre gra, apo sjellje të deputeteve në parlament si ajo që kanë burrat”.
/b.d