Bashkia e Tiranës nisi sot ndërtimin e rrugës “Dalip Topi”, në zonën e Kodrës së Priftit në Njësinë Nr. 3, e cila i vjen në ndihmë një komuniteti të madh, i vendosur aty kryesisht pas viteve ‘90. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve të rrugës dhe siguroi qytetarët se gjatë këtij viti, institucioni që ai drejton do të ketë si prioritet kryerjen e investimeve kapilare në çdo lagje.
“Bashkia e Tiranës ka një moto: Çdo ditë nga një punë konkrete. Puna konkrete për ditën e sotme është rruga “Dalip Topi”, e cila në fakt është një rrugë kufitare midis dy njësive të vjetra, Njësisë 3 dhe Dajtit, sot janë të dyja pjesë e Tiranës së madhe. Tirana është shtëpia e të gjithëve, do të thotë që është edhe shtëpia e tropojanëve, edhe e korçarëve, por edhe e tiranasve autoktonë. Do të thotë që me këtë shumëllojshmëri popullsie që në lagjet ku jetojmë, ajo që na bën bashkë është rregulli, rregullat komunitare, rregullat urbanistike dhe hapësirat publike që duhet t’i ndajmë me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se ka marrë fund koha e ndërtimeve pa rregulla dhe se tashmë është detyrë e Bashkisë që të urbanizojë këto zona. “Nga ky moment nuk ka më improvizime të tipit, secili murin e vet, secili kanalin e vet të ujërave bardha, të ujërave të zeza, secili një gropë septike apo një pusetë të shpikur aty për aty. Sot të gjitha bëhen me një standard dhe parimi është që, pasi ke ardhur në Tiranë, do të luash me rregullat e qytetit. Është ekzaktësisht ajo që po bëjmë këtu në rrugën ‘Dalip Topi’”, u shpreh Veliaj, duke theksuar se investimet e realizuara nga bashkia në një vit janë 11 herë më të mëdha se sa katër vitet e mëparshme.
“Do të thotë që në një vit kemi ecur disa herë më shpejt krahasuar me ç’kemi pasur, por e mira s’ka fund, ndaj besoj se të gjithë qytetarët e kanë të qartë se po të vazhdojmë me këtë ritëm, çdo ditë nga një punë konkrete, është vetëm çështje ditësh sa të jemi edhe te një lagje tjetër që mezi po pret të vijnë investimet e baskisë”, tha ai. Veliaj siguroi qytetarët se puna nuk do të ndalet as në muajt e verës në kryeqytet, ku fokusi i punës së Bashkisë do të jetë përmirësimi i infrastrukturës dhe ofrimi i shërbimeve cilësore.
“Dua t’i garantoj qytetarët, se pavarësisht se qyteti, ashtu si e gjithë Shqipëria, do të hyjë në fushatë zgjedhore, kjo nuk do ndikojë aspak në punën e Bashkisë së Tiranës. Siç kemi punuar çdo ditë me një punë konkrete, kështu do të vazhdojmë gjatë gjithë kësaj periudhe, teksa përgatisim kopshtet, çerdhet, shkollat për fillimin e vitit të ri akademik. Jemi të fokusuar te puna dhe besoj se Tiranën e kemi çuar në drejtimin e duhur dhe do të mbajmë këtë ritëm”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Duke siguruar ruajtjen e të njëjtit ritëm në investimet e kryeqytetit, Veliaj deklaroi se cilësia e tyre do të jetë e njëjtë si në qendër, ashtu dhe në zonat rurale. “Në javët në vijim do të hapim sheshin “Skënderbej”, Bulevardin e Ri, do të vazhdojmë me investimet madhore, por besoj se përtej sheshit, bulevardit, pazarit, stadiumit, qytetarët kanë nevojë edhe për ato që janë kapilarët e jetës në komunitet, që janë këto rrugë dhe këto ndërhyrje në lagje, për të bërë diferencën se nuk ka rëndësi nëse je në këtë anë të Tiranës urbane po në anë tjetër, rurale. Të gjithë meritojnë të njëjtin standard nga periferia deri në qendër”, u shpreh Veliaj.
Në rrugën “Dalip Topi” Bashkia e Tiranës parashikon sistemimin e ujërave të zeza e të bardha dhe ndërtimin e mureve mbajtës. Përveç asfaltimit është projektuar edhe pajisja e rrugës me ndriçim e sinjalistikë, si dhe gjelbërimi i saj./javanews.al
c.a