Hotel “Grandi” ka përfunduar si mos më keq. Edhe pse dikur Grand hotel Prishtina ka qenë ndër hotelet me renome në vend dhe rajon, ai tani ka humbur këtë imazh që ka pasur duke i rënë thuajse tërësisht numri i mysafirëve dhe biznesi.
Frekuentohet tepër pak nga qytetarët, kurse mungojnë krejt tani organizmi i tryezave dhe konferencave nga institucionet dhe OJQ-të.
Dikur si gjigand i hotelerisë në Kosovë me një pozitë tejet të përshtatshme në sheshin “Zahir Pajaziti”, kishte mbi 600 punëtorë, kurse tani rreth 50. Edhe këta pak punëtorë sa kanë mbetur aty, përpiqen të bëjnë të pa mundurën për të mbijetuar dhe tejkaluar këtë gjendje mjaft të rëndë.
Ata të cilët e kanë sjellë Grandin në këtë gjendje, janë faktori politik në vend dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, përgjegjëse për dështimin e privatizimit.