Gjykata për Krimet e Rënda pushoi çështjen gjyqësore, ku pritej të përballej Emiljano Shullazi me biznesmenin Ylvi Beqja, i cili e kallëzoi për “gjobëvënie”. Bëhet fjalë për marrjen e dëshmisë së biznesmenit Beqja në formën e sigurimit të provës për llogari të hetimit të Shullazit dhe katër miqve të tij. Pushimi i gjykimit u vendos nga gjyqtarja Daniela Shirka, në seancën e 24-t të procesit.
Shkak është bërë mbyllja e hetimit të Prokurorisë për Krimet e Rënda për Shullazin dhe katër të bashkëpandehurit e tij dhe depozitimi i dosjes në gjyq. Pushimi i gjykimit është argumentuar me faktin se sigurimi i provës i përket fazës së hetimit, fazë e përmbyllur tashmë. Pas dërgimit të dosjes në gjyq, pritet që dëshmia e Beqjes të administrohet normalisht gjatë gjykimit në themel.
Marrja e dëshmisë së tij në formën e sigurimit të provës u lejua më 21 janar 2017, por administrimi i saj u kthye në “mision të pamundur” për gjykatën. Në harkun e dy muajve, gjykata caktoi 24 seanca për këtë gjykim, pjesa më e madhe e të cilave dështuan për shkak të mbetjes së të pandehurve pa mbrojtës.
Përplasjet mes palëve nisën që në seancën e parë, ku të dyshuarit kërkuan ta kishin përballë biznesmenin në sallën e gjyqit, kërkesë që nuk u mor parasysh. Në disa seanca avokatët braktisën seancën, ndërsa mbrojtësit kryesisht të caktuar nga gjykata nuk u paraqitën në gjyq. Vetëm në seancën e 10 marsit, gjykata mori pjesërisht dëshminë e tij, por seanca u ndërpre nga largimi i avokates.
Nga ana tjetër, Gjykata ka hedhur në short dosjen penale ndaj gjyqit të Shullazit dhe të bashkëpandehurve të tij. Shorti ka përzgjedhur pesëshen gjykuese, e cila do të kryesohet nga gjyqtari Fran Prendi. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endri Zela akuzohen se kanë kryer një sërë veprash penale, si “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë”, “kanosje” dhe “shkatërrim të pronës me eksploziv” ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku.
Këta dy të fundit, me aktivitet në Tiranë dhe në Lushnjë, pas kërcënimeve të Emiljano Shullazit, kanë pasur shpërthime eksplozivi në bizneset e pronat e tyre, ndërsa Prokuroria aludon se kjo ka ndodhur në formë presioni ndaj tyre, për t’i detyruar të paguanin çka u kërkohej.
Sipas Prokurorisë, grupi i Emiljano Shullazit akuzohet edhe për kërcënimin e rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule gjatë fushatës për zgjedhjet në universitete, në prill të vitit 2016. Qëllimi i kërcënimit, sipas Prokurorisë, ka qenë që Mynyr Koni të tërhiqej nga gara për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës.
Në provat e renditura nga Prokuroria, në kërkesën e saj për gjykim janë dëshmitë e të dëmtuarve nga aktiviteti i Shullazit, ka përgjime telefonike, pamje filmike nga kamerat e vendeve ku kanë ndodhur ngjarjet dhe procesverbale të deklarimeve të dëshmitarëve që janë pyetur gjatë fazës së hetimit paraprak.
Emiljano Shullazi u arrestua më 16 prill 2016, bashkë me Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin, pas denoncimit publik që ish-kryeministri Berisha bëri për kërcënimin e profesorëve. Disa muaj më vonë u arrestuan edhe dy anëtarët e tjerë të bandës.
ma.me