Kryeministri Rama reagoi pas deklaratave të Kryemadhit e cila tha se “konfliktet politike po mbyllin vendet e punës”,shkruan Dritare.net.
Sipas Ramës këto deklarata janë në kuadrin e fushatës elektorale dhe nuk mund të merren seriozisht.
Por sot Kryemadhi ka reaguar sërish përmes disa fotove të publikuara në facebook. Ajo tregon disa biznese të mbyllura ku shkruan “Po tani, këtë merreni seriozisht”.
DEBATI:
Prej disa ditësh Monika Kryemadhi është shprehur nëpër takimet e saj me qytetarët se konflikti politik ose “sherri” Rama- Basha I kushtojnë shtrenjtë vendit, pasi godasin ekonominë.
“Çdo ditë e kudo që shkoj, kudo takoj njerëz, shikoj lodhje nga kjo situatë në të cilën ndodhemi të gjithë. Njerëzit kanë nevojë për stabilitet politik, për qëndrueshmëri e siguri, kanë nevojë për vende të reja pune, për vende pune me standarde e të mirëpaguara dhe jo të ndihen në çdo moment të rrezikuar se do e humbasin edhe atë punë që kanë. Nëse konflikti politik do të vazhdojë ne nuk do t’i hapim ato 300 mijë vende pune, por, përkundrazi, do humbasim 300 mijë të tjera!”- do të shprehej Kryemadhi ditën e djeshme.
Reagimi i Ramës ka ardhur po dje në mbrëmje. Kryeministri do të shprehej se kritikat e Kryemadhit ishin për fushatë.
“Monika ka filluar fushatën dhe po bën edhe rolin e opozitës në mungesë të opozitës. Mos i merrni seriozisht ato që thotë Monika se LSI është partnere në koalicion dhe ka dhënë kontribut për shumë reforma, por llogaria është një llogari që është elektorale dhe nuk është matematike dhe as reale”, do të deklaronte kryeministri.