Një gjueti mbarëkombëtare është në zhvillim në Shtetet e Bashkuara, për të kapur personin e dyshuar se qëlloi për vdekje një të moshuar dhe postoi pamjet në rrjetet sociale.
I dyshuari, Steve Stephens, deklaronte në një video tjetër se kishte vrarë të paktën 13 persona dhe se kishte ndërmend të vriste të tjerë.
Ai qëlloi për vdekje me pistoletë 74-vjeçarin Robert Godwin në Ohajo, teksa ai shkonte në shtëpi pas drekës së Pashkës.
Ndërkohë, edhe bordi menaxhues i Facebook, ku u publikuan pamjet, ka nisur një rishikim të procedurave pas kritikave se pamjet e vrasjes kishin qëndruar të publikuara për disa orë.
Autoritetet policore u kanë kërkuar banorëve në Ohajo, Indiana, Miçigan, Nju Jork dhe Pensilvani që të tregohen të kujdesshëm pasi i dyshuari mund të jetë kudo.
Departamenti i Policisë së Klivlendit ka shpërndarë edhe foto të Stephens, 37 vjeç, duke vënë në dukje edhe karakteristikat e tij: me ngjyrë, i gjatë 1.86 m dhe peshë 110 kg.
Shefi i policisë së këtij lokaliteti, Calvin Williams u tha gazetarëve se Stephens, i cili ka leje për armëmbajtje, është padyshim i armatosur dhe i rrezikshëm.
Sinjali i celularit të tij ishte lokalizuar për herë të fundit ditën e diel, në Eri të Pensilvanisë.
c.a