Rusia i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mos ndërmarrin ndonjë ndërhyrje ushtarake kundër Koresë së Veriut. “Shpresoj se nuk do të kemi hapa të njëanshëm të SHBA si në rastin e Sirisë”, deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov në Moskë. Presidenti i SHBA, Donald Trump ka premtuar në fund të fundit në fushatën elektorale se do të heqë dorë nga ndërhyrjet ushtarake, tha Lavrovi.
Nëse Amerika dëshiron që të ushtrojë dhunë me kokë të vet, kjo është “një rrugë shumë e rrezikshme”, citon agjencia e lajmeve Interfax ministrin e Jashtëm. Megjithatë Moska e dënoi edhe programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence deklaroi pas një takimi me Presidentin në detyrë të Koresë së Veriut, Hwang Kyo Ahn se koha e “durimit strategjik” të qeverive të mëparshme amerikane ka kaluar. SHBA dhe aleatët e tyre do të kundërpërgjigjen pas çdo sulmi duke përdorur armë konvencionale ose atomike “me një përgjigje të fuqishme dhe efektive.”
Koreja e Veriut i kundërpërgjigjet SHBA
Nga ana e tij, Pheniani iu përgjigj me ashpërsi deklaratave të Zëvendëspresidentit amerikan Pence. Zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Han Song-ryol i tha BBC-së se mund të pasojë një “luftë totale” nëse SHBA ndërmarrin veprime ushtarake. “Ne do të kryejmë edhe më shumë teste bërthamore, çdo javë, çdo muaj dhe çdo vit”, tha Hani të hënën në një intervistë. Një zëvendësministër tjetër i Jashtëm i Koresë së Veriut, Sin Hong-chol i tha Al Jazeeras se ushtria koreanoveriore është në “gatishmëri maksimale” pas vizitës të hënën në Korenë e Jugut të Zëvendëspresidentit Amerikan, Mike Pence.
Sin paralajmëroi se “po vumë re ndonjë shenjë sulmi kundër sovranitetit tonë, ushtria jonë do të nisë pa mëshirë sulme ushtarake kundër agresorëve të SHBA, kudo që të ekzistojnë, prej tokës së largët të SHBA deri në bazat amerikane në Gadishullin Korean, si në bazat në Japoni dhe kudo tjetër.”
“Arma atomike në zotërimin tonë nuk është iluzion; nuk është një mall që mund të tregtohet për dollarë amerikanë – as nuk është për shitje. Ajo nuk mund të vihet në tryezën e negociatave me synimin për ta eleminuar”, tha Sin në një intervistë me Al Jazeeran.
Pheniani nuk i përgjigjet Kinës
Edhe aleatja më e rëndësishme e pushtetmbajtësit Kim Jon Un, Republika Popullore e Kinës, paralajmëroi për një gjendje “tepër delikate dhe të rrezikshme” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të tregohen të përmbajtura.
Sipas informacioneve më të fundit midis dy aleatëve së fundi mund të jenë shtuar tensionet. Agjencia e lajmeve Bloomberg informon se Koreja e Veriut i ka lënë aktualisht pa përgjigje kërkesat e disa diplomatëve kinezë për një takim me palën koreanoveriore në Phenian. Ministria e Jashtme në Pekin nuk pranoi ta komentojë këtë raport./DW
c.a