Presidenti amerikan Donald Trump ka uruar homologun turk Recep Tayip Erdogan për fitoren e tij në referendumin e së dielës, që i jep atij më shumë pushtet në krye të vendit.
Në një bisedë telefonike të zhvilluar, Trump gjithashtu falenderoi Erdogan për mbështetjen ofruar Amerikës për bombardimin e bazës ajrore siriane më 7 prill.
Në një deklaratë për shtyp, Shtëpia e Bardhë bën me dije se presidenti Trump diskutoi gjatë bisedës për reagimin ndaj përdorimit të armëve kimike nga regjimi sirian më 4 prill.
Në deklaratë thuhet se, dy liderët ranë dakord mbi rëndësinë për të konsideruar përgjegjës presidentin Bashar al Assad. Ata diskutuan gjithashtu për luftën kundër Shtetit Islamik, vijon njoftimi për shtyp.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Ankarasë së fundmi janë acaruar për një seri çështjesh të rëndësishme. Një nga çështjet për të cilat Ankaraja është indinjuar është mbështetja e nisur nga administrata Obama për luftëtarët kurdë në Siri, që po luftojnë forcat e ISIS.
Turqia e konsideron Partinë Popullore të Kurdistanit si një grup terrorist të lidhur me separatistët kurdë, që kërkojnë autonomi të rajonit nga Turqia që prej vitit 1984.
Në referendumin e së dielës, 51.4 për qind e votuesve votuan pro ndryshimeve kushtetuese që zgjerojnë kompetencat e presidentit.
Nga ana e tij, Erdogan hodhi poshtë kritikat e vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët thanë se ai ishte favorizuar nga një fushatë e pabarabartë. “Mbani vendin tuaj”, u tha Erdogan vëzhguesve.
c.a